Detaje interesante dalin në dosjen e SPAK të dorëzuar në Gjykatë për grupin e ish-zyrtarit të lartë të policisë së shtetit, Erzen Breçani. Në disa komunikime të bëra në aplikacionin SKY ECC ai flet me të birin për aktivitetet e paligjshme duke kërkuar në shumë raste që të heqë dorë.
“Askush që ka shit shumë si ju, kurrë nuk ka shpëtuar pa humbur pasurinë e familjes dhe familjen e vet”, – i drejtohet Breçani djalit të tij, Eralbit në një nga këto komunikime që duket më shumë edhe si një paralajmërim.
Në një bisedë me Ervin Matën, Erzen Breçani refuzoi 500 mijë euro, të cilat do t’i jepeshin për t’i investuar tek një hidrocentral që po ndërtonte. Breçani, tashmë i arrestuar ka qenë në dijeni të “biznesit” të të birit, Eralbit, pasi në disa komunikime me të i bën të ketë kujdes.
“A kini noj kg pa muarue… Kemi me pagujt këstin e tubave të turbinave, të dyja shkojnë 300 mijë euro. Ishalla po i bani 300…. O zot nuk ëhstë se më interesojnë aq shumë o bir, po thuaji atij të na e bëjë qet 300 kto dy tre ditë… Baj çka të duesh, por ma mirë është me i ba pa Luanin e Ervinin” – thuhet në komunikime.
Në një moment Erzeni i kujton premtimin që djali i ka bërë dikur, duke i thënë që do e provojë vetëm një vit e pastaj do largohet nga ky “biznes”. Më pas Erzeni i thotë: “Mos u merr më me ta, Shqipërinë mos e flliq, ndryshe me shit jashtë e ndryshe këtu. Ke bë një premtim, një vit do e provosh … u bënë 3 bush”.
Një dosjen prej 104 faqesh personazhet janë përfshirë në trafik droge, pastrim parash, vrasje, por edhe fushatë elektorale. Përveç Breçanit, në këtë rrjet kanë qenë të përfshirë edhe Dedan Gjoni shef i krimeve në komisariatin numër 6 dhe Ervin Mata, personazh i njohur për drejtësinë.