Aktualitet Përgjimet me “pullë të kuqe”! Reagon Iva Aliko: S’kam lidhje me prostitucionin...

Përgjimet me “pullë të kuqe”! Reagon Iva Aliko: S’kam lidhje me prostitucionin që koordinohej nga ‘Zogu’

Pas publikimit të përgjimeve të bisedave me “pullë të kuqe” të kryera mes “Zogut të Tiranës” Hermes Nikaj dhe disa personazheve të tjerë, ku një ndër ta, në vëzhgimet e policisë e komunikimet telefonike, del dhe modelja, Iva Aliko, kjo e fundit ka reaguar në “Shqiptarja.com” duke mohuar përfshirjen e saj në rrjetin e prostitucionit në Tiranë.

Gjatë një komunikimi me Alikon, modelja pohoi se: “…kam njohje me Hermes Nikajn, dhe kam qenë njeriu që ka qëndruar me të, para se ai të arrestohej nga policia. Unë dhe Nikaj kemi qenë së bashku në një restorant në zonën e “Don Boskos” dhe më ka kërkuar, që ta çoja në shtëpi, tek blloku i Ambasadave, në rrugën e Durrësit. E kam çuar me makinë, ku pasi ka zbritur është larguar dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur me Hermesin më tej. S’kam pasur asnjë dijeni se ku ka shkuar ai…”.

Më tej modelja Aliko pohon se në këtë rast është abuzuar nga disa portale në Shqipëri dhe jo vetëm, duke e trajtuar emrin e saj si pjesë e prostitucionit që koordinohej nga Hermes Nikaj.

Modelja sqaron se mund të ketë qenë në vëzhgim nga policia apo qofte edhe në përgjim telefonik, por kurrë nuk ka qenë pjesë e intrigave apo shfrytëzimit të vajzave për prostitucion. “…nëse do isha unë pjesë e këtyre lojërave, ju siguroj që askush nuk do më kursente mua pa më ndjekur penalisht, qoftë nga prokuroria qoftë nga policia“.

Në dosjen e prokurorisë së Tiranës emri i Iva Alikos, përmendet indirekt në disa biseda të përgjuara dhe në disa raporte vëzhgimi të policisë së Tiranës. Në këtë dosje, nuk ka asnjë ndjekje penale për Iva Alikon, pasi nga provat e mbledhura prej prokurorisë së Tiranës, nuk del në asnjë moment që modelja të jetë e implikuar në këtë veprimtari kriminale.