Gjykata për Krimet e Rënda zbardh vendimin që la në paraburgim Nezar Seitin, të dyshuarin si “financier” të grupit të Habilajve.
Në vendimin e arsyetuar dalin në dritë përgjime të papublikuara, pjesë e akteve të dosjes hetimore italiane kundër grupit kriminal të trafikut të drogës që dyshohet se drejtohej nga Moisi Habilaj.
I tillë është përgjimi ambiental i kryer në 2 shtatori 2014 në mjetin e Moisi Habilajt. Mes tij dhe dy pasagjerëve Florian Habilaj e Nezar Seitit diskutohet për transportimin e një shumë prej 200 mijë eurosh, që do të fshiheshin në automjet.
Duke iu referuar prerjes së kartmonedhave, Nezar Seiti thotë që: “nëse janë 100-she janë të mira”.
Florian Habilaj i thotë që janë 20-ëshe, ndërsa Nezari ia kthen: “nëse janë 20-she na mori lumi”.
Dhjetë minuta më vonë, ata kërkojnë hapësira të fshehta në automjet.
Nezari thotë: “Do i ngecim nga mbrapa sediljes dhe do ta mbyllim bram-bram”.
Në një tjetër përgjim të muajit shkurt 2017, Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Maridian Sulaj kanë vënë të një pajisje të dyshimtë në mjetin e tyre.
Mes psherëtimash dhe mallkimesh ata tentojnë ta heqin, ndërsa dikush mendon se ajo është pjesë e tapicerisë.
“Këtu nuk ka shanse. Vetëm të shkatërrojmë makinën, ta heqim tapicerinë e lartme, ta heqim dhe t’ia çojmë”,- shprehet Seitaj. “Po ata janë doktorë”,- vazhdon Maridian Sulaj, pasi bashkëbiseduesit konstatojnë se pajisja e dyshimtë është ngjitur në mjet.
Biseda mbyllet mes Sulajt dhe Moisi Habilajt, kur i pari kërkon të shkojnë dikur për të hequr fiksimin e tij.
“Lërë se e gjej unë, lërë fare”,- e mbyll Habilaj.
Nezar Seiti u arrestua në Vlorë në 19 tetor në zbatim të një urdhër –arresti të Gjykatës së Katanias. Për të u regjistrua një procedim penal edhe në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Masa “arrest në burg” preu shpresën e tij për ekstradim në Itali, fakt për të cilin ai ka dhënë pëlqim.(ABC News)