Pas publikimit të regjistrimeve audio të Florentino Perez, ku denigronte Iker Casillas dhe Raul, “El Confidencial” publikon të tjera materiale të presidentit të Real Madrid. Këtë herë emrat e përmendur janë Cristiano Ronaldo dhe Jose Mourinho. Audiot e regjistruara datojnë në 2012 dhe për Cristiano Ronaldon, Perez shprehet: ”Është i çmendur, ky djalë është një budalla, i sëmurë. Ju besoni se ky djalë është normal, por nuk është normal, pasi përndryshe nuk do të bënte gjërat që bën. Budallallëkun e fundit që bëri e panë të gjithë. Pse mendoni se i bën këto çmenduri?”
Më pas Perez zgjeron diskutimin edhe për Mourinhon që në atë kohë ishte trajneri i Realit duke u shprehur: “Mendes nuk ka pushtet mbi të. Ashtu si dhe me Mourinhon. Edhe për intervistat, për asgjë. Këta njerëz kanë një ego të tmerrshme, të dy janë të llastuar, trajneri është ai, por nuk e shohin realitetin. Nëse do të ishin gatuar ndryshe mund të fitonin shumë më tepër me të drejtat e imazhit”.
Skandali shpërtheu fillimisht pas publikimit të El Confidencial të disa regjistrimeve të tjera. Në 2006 Perez fliste me tone të ashpra për flamujt e skuadrës Casillas dhe Raul që u përkufizonte si të papërshtatshëm për një skuadër si Reali, praktikisht një peshë për klubin.
Si përgjigje, Perez provoi të sqaronte çështjen përmes një komunikate, ku shkruan: “Frazat e riprodhuara janë përmendur në biseda të regjistruara në mënyrë të paligjshme nga zoti Jose Antonio Abellan që prej vitesh tenton ti shesë pa sukses. Është surprizues fakti që pavarësisht kohës së kaluar e përditshmja El Confidencial i publikon sot. Janë fraza të veçanta bashkëbisedimi të shkëputura nga konteksti. E kuptoj faktin që publikohen tani, pasi kjo është e lidhur me punën time si një ndër promotorët e Superligës. Ia kam besuar çështjen në dorë avokatëve të mi që po studiojnë veprimet ligjore që mund të ndërmerren”.