Aktualitet Përgjimi që “fundosi” fituesin e Himarës, GJKKO zbardh vendimin për dënimin e...

Përgjimi që “fundosi” fituesin e Himarës, GJKKO zbardh vendimin për dënimin e Belerit

Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin e arsyetuar me të cilin mbylli për 2 vjet pas hekurave Alfred Belerin, si fajtor për “korrupsion në zgjedhje”.

Në vendimin prej 90 faqesh, treshja gjykuese arsyeton se Alfred Beleri dhe i bashkëpandehuri i tij Pandeli Kokaveshi e kanë konsumuar veprën penale mes veprimeve të kundërligjshme në dy forma, me anë të ofrimit dhe dhënies së të hollave për zgjedhësin, ose për persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim që ai të votojë në një mënyrë të caktuar.

Përgjimi

Sipas gjykatës, rezultonte e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se Dhionisis Alfred Beleri i ka ofruar Arsen Ramës shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do t’i gjente si votues të tij për kryebashkiak të Himarës dhe për shërbimin një shpërblim prej 300 eurosh.

Mes provave të vlerësuara është ky përgjim ambiental, ku Alfred Beleri i thotë të infiltruarit “do të të jap, do të jap… nga 50 euro. Orea!” dhe pasi merr një “po” nga bashkëbiseduesi shton “po panë në kuti ke dhe ti 300 euro”.

Sipas gjykatës, shumën monetare 40 mijë lekë për 8 vota, Beleri ia ka dhënë Arsen Ramës përmes të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili u la në 3 vjet shërbim prove.

Rrëzimi i argumenteve të mbrojtjes së Belerit

Në vendimin e arsyetuar gjykata rrëzon të gjitha pretendimet e ngritura nga mbrojtja e Belerit për shkelje të procedurës nga SPAK.

Gjykata vlerëson si të pabaza edhe pretendimet e ngritura nga avokatët për përgjimet, apo edhe faktin se Arsen Rama nuk ndodhej në Himarë ditën kur është përgjuar me Alfred Belerin dhe marrë shumën e parave nga Pandeli Kokaveshi, duke rrëzuar dy nga argumentet më të forta të mbrojtjes.

“Gjykata çmon se marrja e provave dhe fiksimi i tyre në aktet proceduriale është kryer në respektim të plotë të ligjit. Provat e paraqitura nga organi i akuzës nuk janë të dyshimta, të pakonfirmuara dhe kontradiktore, por ato janë të lidhura në sinkron me njëra-tjetrën”, thuhej në vendim.

Avokatët pretendonin se Arsen Rama, i infiltruari i policisë nuk ndodhej në territorin e Himarës, kur pretendohet se ka patur takime me Fredi Belerin, takime gjatë të cilave është regjistruar audio dhe video, si dhe është fotografuar. Mbrojtësit e ngrinin këtë pretendim nisur nga analizimi i tabulateve të telefonit.

Por gjykata në vendim thekson se: “Lidhur me pretendimet e mbrojtësit të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri, se shtetasi Arsen Rama nuk ndodhej ne qytetin e Himarës në datat 10, 11, 12  maj kur janë zhvilluar takimet me të pandehurit Beleri dhe Kokaveshi, gjykata vlerëson se ky pretendim është i pambështetur në prova”.

“Referuar të dhënave të tabulateve të numrit në përdorim të shtetasit Arsen Rama, rezulton se në takimet e zhvilluara me të pandehurit, përkatësisht me datën 10 maj 2023 ora 08:40 deri në orën 08:48, ora 20:20 deri në orën 20:24 shtetasi Arsen Rama rezulton i loguar në territorin e Himarës dhe jo në ndonjë qytet tjetër”, arsyeton gjykata.

Duke u ndalur te regjistrimi audio dhe video i bisedave mes të pandehurve dhe të infiltruarit të policisë, gjykata arsyeton se avokatët nuk kanë ngritur asnjë pretendim për përmbajtjen  e tyre dhe nuk kanë kërkuar dëgjimin e bisedave në seancë.

“Sa i përket pretendimeve në lidhje me këqyrjen e pamjeve filmike, fotografike, ritraskiptimin e veprimeve të përgjimeve të pretenduara si të kryera në shkelje me ligjin, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i pabazuar në ligj.

“Në çdo rast palët edhe gjatë gjykimit në themel mund të dëgjojnë në seancë gjyqësore përgjimet për të cilat kanë pretendime. Mbrojtësit e të pandehurve të pyetur nga gjykata në seancën e shqyrtimit të provave shkresore, nëse kishin pretendime mbi përmbajtjen e përgjimeve dhe nëse donin të dëgjonin materialin audio-video kanë deklaruar se nuk kanë pretendime mbi përmbajtjen dhe nuk dëshironin ta dëgjonin këtë material”, thekson trupa gjykuese.