Presidenti i SHBA Donald Trump tha të shtunën se shtetet dhe qytetet amerikane duhet të tregohen “shumë më të ashpra” ndaj protestave anti-policore përndryshe qeveria federale do të ndërhyjë, përfshirë duke përdorur ushtrinë dhe duke bërë arrestime.
“Guvernatorët dhe kryebashkiakët liberalë duhet të tregohen më të ashpër, përndryshe qeveria federale do të ndërhyjë, për të bërë atë që duhet bërë dhe kjo përfshin përdorimin e fuqisë së pakufizuar të Ushtrisë sonë dhe duke bërë shumë arrestime,” tha presidenti Trump në një koment në Twitter.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz tha të shtunën se synimi i protestuesve në Minneapolis është “shkatërrimi i qëllimshëm”.
Protestat janë përhapur në shumë qytete amerikane pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd, i cili vdiq pasi një oficer policie në Minneapolis i vuri gjurin në qafë ndërsa 46-vjeçari ishte i shtrirë në tokë. Imazhet u panë në të gjithë botën dhe ngjallën zemërim.
Guvernatori Walz tha se demonstratat në Minneapolis nuk kanë të bëjnë me shprehjen e hidhërimit, por me nxitjen e “kaosit absolut”.
Protestuesit në Minneapolis kanë djegur biznese, makina dhe të paktën një stacion policie. “Star Tribune” njofton se protestuesit kishin qëlluar ndaj policisë.
“Ne nuk mund të arrestojmë njerëz për shkak “të përmasave të mëdha të dinamikës”. tha guvernatori. “Njerëzit tanë po qëllohen,” tha ai.
Të paktën 500 pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë dërguar tashmë në qytetet fqinjë Minneapolis dhe Saint Paul. Gjeneral Majori Jon Jensen i Gardës Kombëtare të Minesotës tha se deri të dielën në zonë do të jetë dislokuar më shumë se 1.700 pjesëtarë të Gardës. Gazeta “Washington Post” tha se ky do të ishte stacionimi më i madh i forcave ligjzbatuese në historinë e Minesotës.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Pentagoni ka urdhëruar ushtrinë të mobilizojë disa njësi të policisë ushtarake, të gatshme për t’u vendosur në Minneapolis. Ushtarët nga bazat Fort Bragg në Karolinën e Veriut dhe Fort Drum në New York janë urdhëruar të qëndrojnë të gatshëm për t’u vendosur brenda katër orëve nëse kërkohen, sipas tre personave që kanë dijeni për këto urdhra. Associated Press tha gjithashtu se ushtarëve në bazat Fort Carson, në Kolorado dhe Fort Riley në Kansas u është thënë të jenë gati brenda 24 orëve.
Një protestë paqësore në Portland të shtetit Oregon për vdekjen e afrikano-amerikanit Floyd u shndërrua në dhunë pas disa orësh, kur protestuesit u futën në stacionin e policisë, të cilit i vunë zjarrin. Demonstruesit gjithashtu vandalizuan dyqane, ndezën zjarre të tjera dhe hodhën sende të forta drejt policëve, sipas një njoftimi të Associated Press. Në një postim në Twitter, policia i përshkroi ngjarjet si “trazira”.
Në Uashington, protestat e së premtes në Parkun Lafayette përballë Shtëpisë së Bardhë bënë që zyrtarët të bllokonin ndërtesën. Gazetarët thanë se protestuesit, disa prej të cilëve hodhën “spray” në një ndërtesë aty pranë, u përplasën me pjesëtarët e Shërbimit Sekret të Shtëpisë së Bardhë. Protestuesit hoqën një pjesë të një barrikade.
Demonstruesit në qytetin e Nju Jorkut dolën në rrugë për të dytën ditë radhazi, për të protestuar për vdekjen e 46-vjeçarit Floyd. Disa njerëz brenda turmës shtynin të tjerët drejt barrierave metalike ndërsa policia përpiqej t’i kthente pas.
Departamenti i Policisë në Los Angeles e shpalli të paligjshëm një grumbullim njerëzish, pasi protestuesit shkatërruan xhamat e dyqaneve dhe bllokuan një autostradë. Policia marshoi në qendër të Los Anxhelosit për të larguar demonstruesit.
Në Atlanta të shtetit Xhorxhia, qindra protestues u përballën me policinë jashtë ndërtesës së televizionit CNN, disa prej tyre duke hedhur shishe me ujë dhe duke thirrur, “Ikni nga puna”. Guvernatori i shtetit shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe aktivizoi Gardën Kombëtare.
“Kjo nuk është protestë,” tha kryebashkiakja e qytetit Atlanta, Keisha Lance Bottoms në një lutje emocionale drejtuar demonstruesve në qytetin jugor. “Ky është kaos. Një protestë ka një qëllim… Ju po e poshtëroni qytetin tonë. Ne nuk jemi ashtu si doni të na paraqisni ju si qytet, apo si vend”. Pesëqind pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Xhorxhias po vendosen në Atlanta.
Protesta pati edhe në Las Vegas të Nevadës dhe në Hjuston të Teksasit, ku Floyd kaloi fëmijërinë. Në Hjuston, më shumë se 60 protestues marshuan në autostradë për gjysmë ore, duke bllokuar trafikun.
Qyteti Mineapolis, ku ndodhi vrasja, vazhdon të jetë i tensionuar pas tre netë protestash që filluan në mënyrë paqësore, por që u shoqëruan më pas me zjarrvënie dhe plaçkitje.
Kryebashkiaku i Mineapolisit, Jacob Frey shpalli orën policore nga 8 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit të shtunën.
Mineapolisi njoftoi të premten arrestimin e Derek Chauvin, ish oficerit të policisë i akuzuar për vdekjen e Floyd-it. Gazeta “Washington Post” më vonë raportoi se gruaja e oficerit kishte bërë kërkesë për divorc.
Para kësaj, zyrtarët njoftuan akuza ndaj policit, i cili shihet në videon e marrë me celular duke vënë gjurin në qafën e Floyd ndërsa ky i thotë se nuk po merrte dot frymë. Oficeri akuzohet për vrasje të shkallës së tretë.
Floyd u konstatua i vdekur menjëherë pas incidentit. Familja e tij reagoi, duke thënë në një deklaratë se dëshironte që prokurorët të mbajnë një qëndrim më të ashpër.
“Arrestimi i ish oficerit të policisë në Minneapolis Derek Chauvin për vrasjen brutale të George Floyd është një hap i mirëpritur por i vonuar në rrugën drejtësisë. Ne prisnim një akuzë për vrasje të shkallës së parë. Ne duam një akuzë për vrasje të shkallës së parë. Duam gjithashtu që arrestohen edhe oficerët e tjerë. U bëjmë thirrje autoriteteve të rishikojnë akuzat për të pasqyruar fajësinë e vërtetë të këtij oficeri,” thuhej në deklaratën e familjes./ Marrë me shkurtime nga VOA