Kryesia e Forumit Rinor të Partisë Demokratike i ka depozituar sot një kërkesë Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kreut të Këshillit Kombëtar për thirrjen e një referendumi pas përjashtimit të Sali Berishës.
Lajmi bëhet i ditur nga një prej përfaqësuesve të të rinjve demokratë, Indrit Hoxha. Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se anëtarësia duhet të vendosë nëse Berisha duhet të përjashtohet apo jo.
“Kryesia e FRPD ka depozituar sot kërkesë Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kreut të Këshillit Kombëtar për thirrjen e një referendumi pas përjashtimit të Doktor Sali Berishës nga grupi parlamentar. Anëtarësia duhet të vendosë. Partia Demokratike duhet të ngrihet në vlerat që asaj i takojnë”, shkruan Hoxha.
Janë gjithsej 30 anëtarë të Kryesisë së FRPD që kanë firmosur kërkesën. Mes firmëtarëve është edhe Glauk Olldashi, djali i të ndjerit Sokol Olldashi.
Ndërkohë vetë ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi nisjen e një lëvizjeje në radhët e PD. Ai do të mbajë pasditen e sotme një takim me demokratët e Tiranës pas vendimit për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar. Më pas, Berisha do të vijojë me takime në të gjitha degët e PD-së në rrethe.
Për Berishën, kjo lëvizje e tij ka për qëllim bashkimin, hapjen dhe ringritjen e partisë në vlerat demokratike, që sipas tij u shkelmuan në mënyrë antistatutore me vendimmarrjen e kryetarit Basha.
Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar një natë para nisjes së legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit. Kryedemokrati tha se kjo ishte zgjidhja e vetme pas vendimit të DASH që e shpalli Berishën “non grata”.
Nga ana tjetër, Berisha e ka akuzuar Bashën se po vepron për interesat e tij, duke e cilësuar vendimin për shkarkimin e tij pazar me Edi Ramën për interesa personale të kreut të PD-së.