Situata e Covid-19 në vendin tonë është përkeqësuar. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se këtë të martë janë konfirmuar 36 raste ku 27 raste i përkasin Tiranës.
Në 24 orët e fundit u testuan 359 persona të dyshuar me koronavirus dhe përveç rasteve në Tiranë, 4 të infektuar u zbuluan në Shkodër, 2 në Kamëz, 1 në Durrës, 1 në Lushnje dhe 1 në Lezhë.
Sipas Silva Binos nga ISHP-ja kjo situatë ka ndodhur për shkak të grumbullimeve masive ditët e fundit dhe mosrespektimi i këshillave.
“Jo vetëm grumbullimet, por edhe mosrespektimi i këshillave, në lidhje me distancimin fizik, në lidhje me mbajtjen e maskave, në lidhje me shumë elementë të tjerë të kujdesit personal qoftë edhe të higjienës. Të gjithë qytetarët, të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm që Covid19 nuk ka ikur nga vendi jonë”, tha Bino.
Sot ka edhe një rritje të rasteve që po trajtohen në Spitalin Infektiv. Numri i pacientëve të shtruar ka shkuar 41, prej të cilëve 6 janë në terapi intensive dhe 2 janë intubuar.
“Të gjitha këto tregojnë që Covid19 nuk është lehtësuar, nuk është një sëmundje e cila kalon lehtësisht. Një pjesë e mirë e rasteve të cilat janë identifikuar kanë shenja klinike dhe një pjesë e tyre kanë pasur nevojë për shtrim në spital”, tha Bino.
Përkundër shifrave rekord, të cilat janë regjistruar që nga nisja e pandemisë në Shqipëri, Bino u shpreh se në 24 orët e fundit janë shëruar 15 qytetarë duke çuar numrin total në 960. Aktualisht siç bën me dije Ministria e Shëndetësisë në të gjithë vendin janë 305 raste aktive.