Përkrahësit e Trump, tubim në Uashington me moton “Ndaloni vjedhjen”
Mijëra mbështetës të presidentit Donald Trump kanë zhvilluar një tubim në kryeqytetin Uashington, për të protestuar për humbjen e zgjedhjeve të presidentit ndaj rivalit demokrat Joe Biden.
Trump i mbështeti protestuesit duke fluturuar me helikopterin “Marine One”.
Për këtë marshim reagoi dhe presidenti Donald Trump. “Beteja është vetëm në fillim. Sapo kemi nisur të luftojmë”, shkruan kreu i Shtëpisë së Bardhë në Twitter për të përshëndetur mbështetësit e tij që kundërshtojnë zgjedhjen Joe Biden.
Gjykata e Lartë amerikane hodhi poshtë të premten një padi gjyqësore të ngritur nga shteti i Teksasit për të shpallur të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në katër shtete ku presidenti Trump humbi ndaj Biden, duke i dhënë fund përpjekjes së Trumpit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve përmes gjykatave. Më shumë se 50 vendime të gjykatave federale dhe shtetërore kanë mbështetur fitoren e Biden mbi Presidentin Trump.
Tubimi në Uashington me moton “Ndaloni Vjedhjen” drejtohet nga ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn i falur kohët e fundit nga presidenti Trump. Organizatorët dhe grupe kishtare u bënë thirrje mbështetësve të marrin pjesë në ato që ata po i quajnë “Marshimet e Xherikos” (Jerico Marches) dhe tubimet e lutjeve.
Protesta në Uashington përfshin marshime rreth ndërtesës së Kongresit, Gjykatës së Lartë të dhe Departamentit të Drejtësisë “me lutje të pjesëmarrësve që të shemben muret e korrupsionit dhe mashtrimit të zgjedhjeve”.