Me sytë e ngulur mbi ekran, prezantuesja Lee So-jeong përsërit edhe një herë tekstin e lajmeve në stacionin televiziv më të ndjekur në Korenë e Jugut.
Që prej nëntorit, ajo është gruaja e parë që zë një pozicion të tillë në një vend ku, përgjatë dekadave, ky rol prestigjioz u rezervohej vetëm burrave.
Pesë herë në javë, kjo 40-vjeçare shkon në studio me “News 9”, lajmet televizive të kanalit publik KBS.
Edhe pse me një ekonomi dhe teknologji mjaft të zhvilluar, Koreja e Jugut dominohet nga burrat.
Deri në ardhjen në krye të zonjës Lee, lajmet televizive nuk përbënin përjashtim nga ky rregull: një burrë në moshë të madhe raporton lajmet kryesore të ditës dhe një grua mjaft e re i qëndronte në krah për të dhënë informacione më pak të rëndësishme.
Disa nga këto prezantuese të reja u zhdukën nga ekrani, pasi braktisën karrierën e tyre për t’u martuar me një anëtar të një prej familjeve më të fuqishme, njohur ndryshe konglomeratët koreano-jugorë.
Ardhja e zonjës Lee përmbysi traditat. Vetëm 43 vjeçe, ajo punon krah një burri më të ri se vetja dhe aspiron ambicie të mëdha.
Gazetarja sqaroi se donte të ndryshonte anën tradicionale të KBS-së, kryesisht për t’i tërhequr vëmendjen publikut të ri të pakënaqur nga emisionet që kishin si prirje t’u “jepnin mësime telespektatorëve”.
Që prej ardhjes së saj në krye të gazetës në nëntor, shikueshmëria e programit të saj u rrit nga 9,6 në 11%.
Megjithatë, ajo është e vetëdijshme se nuk mund t’i lejojë vetes asnjë gabim.
Presion i madh
“Nëse unë dështoj, kjo mund të zhgënjejë gratë gazetare”, shprehet ajo e shqetësuar.
Ajo gjithashtu pohon se ky presion është më i fortë se ai që ka ndjerë gjatë prezantimit drejtpërdrejtë të lajmeve.
Në Korenë e Jugut, fuqia e dymbëdhjetë ekonomike në botë, vlerat shoqërore tradicionale kanë humbur.
Diferenca e pagës mes burrave dhe grave mbetet më e larta ndër shtetet e zhvilluara, vetëm 66% e pagës së burrave.
Shumë luftojnë që të vënë në ekuilibër jetën profesionale dhe atë familjare por më vonë gjenden të detyruara të heqin dorë nga karriera e tyre.
Ky presion shoqëror bëri që shumë gra koreano-jugore të heqin dorë nga të qenit mama.
Gjithashtu, zonja Lee, nëna e një djali 6-vjeçar, ka qenë përballur me një problem të tillë.
“Kam parë shumë gra gazetare me përvojë, karrierat e të cilave u shkatërruan”, thotë ajo.
Një shenjë inkurajuese
Kjo lloj vështirësie është në qendër të filmit të fundit të suksesshëm “Kim Ji-young, Born 1982”. Bazuar në një roman feminist, ai rrëfen historinë e një gruaje të zakonshme, 30 vjeçe, jeta e së cilës vërtitet mes punës dhe familjes.
Gazetarja, e cila e ka nisur karrierën televizive në vitin 2003, pohon se ka hasur vështirësi të tilla pas kthimit nga leja e lindjes.
“Kam pasur përshtypjen se nuk kam qenë as mama dhe as gazetare e mirë”, shprehet Lee.
Gjërat fillojnë të ndryshojnë ngadalë në vendin i cili njohu në 2018-n një lëvizje #MeToo.
Për drejtorin e përgjithshëm të informacionit të KBS-së, kishte ardhur koha e emërimit të një gruaje në prezantimin e lajmeve televizive për t’iu përgjigjur kështu “kërkesave të kohës”.
”Një emërim i tillë as që mendohej në vitet ’80”, tha ai.
Për militanten e të drejtave të gruas Bae Bok-ju, ardhja e zonjës Lee hodhi poshtë rolet përgjithësisht kushtuar burrave dhe grave në shoqërinë koreano-jugore dhe përbën një shenjë motivuese për vendin.
“Të njoftosh lajmet kryesore politike dhe shoqërore, për një kohë të gjatë, ka qenë konsideruar si një detyrë vetëm për burra dhe gratë qëndronin në hije. Fakti që një grua prezanton lajmet kryesore përbën një shenjë që Koreja e Jugut ndodhet në kryqëzim për t’u dhënë fund stereotipeve të këtij aspekti”, thekson ajo.