Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kavajës, Fisnik Qosja ka shpallur fitoren dhe ka nisur festën me simpatizantët e tij.
Teksa kanë mbetur edhe pak kuti për t’u numëruar, Fisnik Qosja është në avantazh me 659 vota, përballë kundërshtarit të tij socialist, Redjan Krali.
Një përmbysje që ka ardhur drejt fundit, pasi fillimisht kujtojmë se ishte Krali në avantazh, por rezultati u përmbys.
Në një prononcim për mediat, Fisnik Qosja u shpreh entuziast për fitoren, ndërsa shtoi më tej se edhe pse një betejë e vështirë ia doli pasi kishte në krah mbështetjen qytetare. Ai deklaroi se kundër kishte makinerinë e pushtetit, por ia doli mbanë falë mbështetjes qytetare.
“Ishte fitore e mundimshme, por qytetarët ma bënë më të lehtë se kurrë. Unë kundër nuk kisha asnjë, kisha pranë qytetarët e Kavajës. Unë kisha kundër vetëm një gjë, makinerinë e pushtetit. Por qytetarët e Kavajës nuk i bën balla as makineria e pushtetit dhe as e njeriut për të drejtuar Kavajën aty ku duan ata”, tha Qosja duke theksuar se “do punoj ditën e natë. Do jem në shërbim të tyre 24 orë” – tha Fisnik Qosja.
I pyetur nëse do të punojë për bashkimin e PD, ai tha “po, pasi PD-në e kam si shtëpinë time”.
Nuk nguroi të thoshte se për të mirën e qytetarëve do ti shtrijë dorën edhe qeverisë. “Për të mirën e qytetarëve të Kavajës do ti shtrij dorën çdo njeriu, çdo institucioni gjithashtu edhe qeverisë”, tha Qosja.
Fisnik Qosja deklaroi se në një kohë regjimi, Kavaja e ka treguar se është anti-komuniste dhe demokratike.