Më shumë se 160 vetë humbën jetën si rezultat i përmbytjeve javën e kaluar. Dhjetëra të tjerë janë ende të pagjetur. Kancelarja Merkel takohet me ndihmësit dhe banorët.
Kancelarja gjermane Angela Merkel po viziton disa nga zonat më të prekura prej përmbytjeve të javës së kaluar në landin Nordrhein-Westfalen (NRW).
Ajo shoqërohet nga Armin Laschet, kryeministri i landit NRW dhe pasardhësi i mundshëm i Merkelit. Ata vizituan qytetin Bad Münstereifel në rrethin Euskirchen, ku pati shumë shkatërrime.
Më parë kancelarja Merkel kishte vizituar zonat e prekura prej përmbytjeve të javës së kaluar në landin Rheinland-Pfalz, ku prej përmbytjeve kanë gjetur vdekjen 117 vetë.
Në landin Nordrhein-Westfalen numri i të vdekurve deri në mëngjesin e së martës ishte 47, por disa dhjetra vetë janë ende në kërkim në të dy landet federale, kështu që shifra mund të rritet.
Merkel takohet me vendasit dhe ndihmësit
Kancelarja Merkel bisedoi gjatë vizitës së saj me përfaqësues të organizatave të ndihmës, me vullnetarë si dhe me banorë të zonës. Ajo vizitoi një depo ushqimesh që shpërndan furnizime për të prekurit.
Qeveria njoftoi se po përgatit një paketë të madhe ndihme financiare për rajonin e prekur.
Ndërkohë zyrtarët e lartë gjermanë i hodhën poshtë kritikat se ata nuk kishin bërë sa duhet që të paralajmëronin banorët në zonat e goditura rëndë si dhe kritikat se nuk e kanë pasur si duhet nën kontroll gjendjen pas përmbytjes më të rëndë të vendit për disa dekada.