Aktualitet Përmirësohet gjendja e Fatos Nanos, del nga intubimi

Përmirësohet gjendja e Fatos Nanos, del nga intubimi

Pas dy javësh shtrim në spital nën kujdesin intensiv, është përmirësuar gjendja e ish-kryeministrit Fatos Nano, ndërsa raportohet se ai ka dalë nga intubimi.

Nano, 70 vjeç, është nën kujdesin e mjekëve pasi shfaqi disa komplikacione shëndetësore.

Ai vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK. Kjo patologji që prek mushkëritë dhe karakterizohet nga një ngushtim i rrugëve respiratore me pasojë kryesore vështirësinë e furnizimit me oksigjen.

Më 31 gusht, pas lajmit se Nano është shtruar në spital, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka akorduar Fatos Nanos Kordonin e Madh me Yllin e Mirënjohjes Publike.

“Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme”, shkruan Rama në Facebook.

Ai shtoi se sot “meriton lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”.