Kur janë numëruar më shumë se 97% e votave në Komunën e Prishtinës, kandidati i LDK-së Përparim Rama kryeson me një diferencë prej më shumë se 1200 vota.
Rama ka marrë 51.13% kurse kandidati i LVV, Arben Vitia siguroi 48.87%, duke pasur një garë shumë të ngushtë.
Para përfundimit të numërimit, kandidati i LDK shpalli fitoren duke deklaruar para qytetarëve se do të mbajë të gjitha premtimet e dhëna në fushatë.
“Nuk mundem me i përshkru me fjalë emocionet e kësaj fitore. Falënderoj të gjithë LDK dhe kryetarin e guximshëm Lumir Abdixhiku. Kjo është fitore e zhvillimit. Zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve, ju që jetoni këtu, punoni këtu, që vini e që do të ktheheni”, tha ai.
Pak minuta më pas kandidati i LVV, Arben Vitia pranoi humbjen duke thënë se Prishtina ka një kryetar të ri.
“Prishtina tashmë ka një fitues, e ai është zotëri Përparim Rama. Shfrytëzoj rastin të falënderoj aktivistët e LVV-së, qytetarët e Prishtinës dhe zotëri Rama po ashtu për një kulturë të përgjithshme dhe fushatë korrekte që karakterizoi Komunën e Prishtinës”, tha Vitia.
Humbje për Vetëvendosjen edhe në Prizren, kandidati i PDK Shaqir Totaj fitoi duke arritur 51,01% ndaj atij të VV Myhater Haskuka, me 48.99%.
Në Gjakovë, kandidati i AAK Ardian Gjini fitoi bindshëm me 56.06% ndaj Mimoza Kusari Lila të VV, me 43.94%.
Ndërkohë në Gjilan, kandidati i VV Alban Hyseni po fiton me 51.13% të votave ndaj kandidatit të PDK Lutfi Haziri, me 48, 87%.
Në Podujevë, kandidati i Vetëvendosjes Shpëtim Bulliqi po fiton me 51.58% kundër atij të LDK-së Ekrem Hyseni, me 48,15 % të votave.
Qendrat e votimit në Kosovë, ku u mbajt raundi i dytë të zgjedhjeve lokale, u mbyllën në orën 19:00.
Procesi u zhvillua në mënyrë të kënaqshme gjatë gjithë ditës, në 575 qendrat rreth vendit, ku sipas KQZ votoi 37.85% të votuesve.
Mbi 1.2 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, në balotazhin e 14 nëntorit, ku do të zgjidhen kryetarët e 21 komunave. Partia që garoi në numrin më të madh të komunave ishte Lëvizja Vetëvendosje me 12 të tilla. Lidhja Demokratike e Kosovës garoi në 9 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në 8, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5. Në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave.