Aktualitet Përplasi me makinë një karabiniere, policia italiane vret 55-vjeçarin shqiptar në Padova

Përplasi me makinë një karabiniere, policia italiane vret 55-vjeçarin shqiptar në Padova

Një 55-vjeçar shqiptar është vrarë nga policia në Padova të Italisë pasditen e sotme. Karabinierët u detyruan të hapnin zjarr ndaj tij pasi shqiptari, siç shkruajnë mediat italiane, përplasi me makinë një efektive policie.

Gjithçka nisi kur shqiptari i identifikuar si Haxhi Çollaku shkoi pranë shtëpisë së ish-bashkëshortes, ndaj të cilës kishte një urdhër ndalimit për të mos iu afruar.

Ish-gruaja, e cila ka një vajzë 18-vjeçare me shqiptarin, lajmëroi policinë nga frika sapo pa ish-burrin poshtë shtëpisë së saj.

Aty mbërritën punonjësit e policisë dhe teksa po plotësonin dokumentacionin për shkeljen e urdhrit të mbrojtjes nga 55-vjeçari, ky i fundit u fut brenda mjetit të tij dhe i dha gaz duke përplasur një karabiniere. Më pas doli nga makina me një thikë në dorë dhe tentoi të godiste policen e shtrirë përtokë.

Por në këtë moment ka reaguar kolegu i polices, duke hapur zjarr me armë. Karabinieri qëlloi 4 herë me pistoletë 55-vjeçarin shqiptar të identifikuar si Haxhi Çollaku. Ky i fundit ndërroi jetë në spital pas disa orësh.

Ndërsa karabinieria që u përplas me makinë ndodhet në spital në gjendje të rëndë.