Franca do të dërgojë gaz në Gjermani nëse do te jetë e nevojshme, ndërkohë që Gjermania është e gatshme t’i sigurojë këtij vendi energji elektrike, tha të hënën Presidenti Emmanuel Macron, duke shtuar se kjo tregon solidaritetin evropian përballë krizës energjetike që rrjedh nga lufta në Ukrainë.
Çmimet evropiane të gazit u rritën ndërsa vlera e euros ra ndjeshëm të hënën pasi Rusia ndaloi pompimin e gazit përmes një linje kryesore furnizimit, një paralajmërim tjetër për BE-në ndërsa blloku përpiqet t’i japë një përgjigje krizës përpara ardhjes së dimrit.
“Gjermania ka nevojë për gazin tonë dhe ne kemi nevojë për energji nga pjesa tjetër e Evropës, veçanërisht Gjermania”, tha presidenti francez në një konferencë shtypi pas një telefonate me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Lidhjet infrastrukturore, që Franca të dërgojë gaz në Gjermani kur të jetë e nevojshme, do të finalizohen në javët e ardhshme, tha ai, duke shtuar se Franca, e cila kishte qenë prej kohësh një eksportues neto i energjisë elektrike, do të ketë nevojë për ndihmë nga fqinjët e saj, për shkak të problemeve teknike në centralet e saj bërthamore.
Megjithatë Macron tha se ai nuk e kuptonte kërkesën për një lidhje të tretë për transportin e gazit mes Francës dhe Spanjës, duke hedhur poshtë thirrjet për të rritur kapacitetin me një tubacion të ri.
Ai shtoi se ishte i hapur për të ndryshuar mendje, nëse kancelari Scholz ose kryeministri Pedro Sanchez arrijnë të japin argumenta të bindshëm mbi këtë çështje.
Përpara një takimi të premten të ministrave të energjisë së BE-së, Macron tha se Franca ishte në favor të blerjes së gazit në një nivel evropian dhe jo në nivel kombëtar dhe bëri thirrje për masa nga ana e Bashkimit Evropian për të kontrolluar çmimin e energjisë.
Ai tha se ishte e nevojshme të veprohet kundër spekulimeve duke shtuar gjithashtu se Franca ishte në favor të vendosjes së një tavani ndaj çmimit të gazit rus.
Macron përsëriti gjithashtu thirrjet që të gjithë të mos përdorin kondicionerët kur është vapë dhe të kufizojnë ngrohjen në 19 gradë Celsius këtë dimër.