Gazetari Blendi Fevziu ka qenë i ftuar në rubrikën “Milori Live” me Mirela Milorin në Klan News këtë të enjte ku ka folur rreth situatës së Partisë Demokratike.
Sipas Fevziut, njëri mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës do të eliminojë tjetrin politikisht në këtë përplasje që po ndodh brenda selisë blu.
“Njëri nga dy do ta eliminojë tjetrin politikisht”, tha Fevziu.
Ai shtoi më tej se fundi i Partisë Demokratike do të jetë nëse përplasja Basha-Berisha do të shkojë në një betejë ligjore. Sipas Fevziut kjo mund të çojë në krijimin e partive të tjera opozitare.
“Nuk është ndonjë çudi që të ketë një kohezion të brendshëm pasi të zgjidhet. I vetmi skenar i keq për PD do ishte zgjatja apo zvarritja në procese legale, juridike, të zgjatura me gjykata. Partia politike është frymëzim, ide dhe jo vetëm procedurë. Nëse shkon në një betejë legale të gjatë atëherë ky do të jetë fundi i PD. E them këtë me bindje të plotë edhe pse njerëzit nuk e besojnë mund të çojë në krijimin e partive të tjera opozitare, ndoshta edhe me emra jo të njohur. Vendi nuk mbetet kurrë pa opozitë. Do të marrë pak kohë. Do t’i japë Ramës mundësinë që të mbetet edhe pak kohë në pushtet, por ky mesa duket paska qenë fati i tij se sa aftësia e tij, por vendi nuk mund të mbetet pa opozitë”, tha ai.
Fevziu tha ndër të tjera, se PD duhet të kishte analizuar se pse i humbi zgjedhjet.
“Partia Demokratike duhet të kishte hyrë në një analizë realiste që në vitin 2017 për të kuptuar, çfarë i kishte ndodhur. Pse i humbi zgjedhjet e 2013? Pse i humbi zgjedhjet e 2017? Pse i humbi zgjedhjet e 2021? PD ka refuzuar që ta bëjë këtë analizë. Ka gjetur gjithmonë një justifikim, vjedhjen e zgjedhjeve, rezultatin jo të vërtetë. Të gjitha këto janë aksesorë, por jo thelbi i së vërtetës. Thelbi i së vërtetës është që ti duhet të hysh tek problematika. Kjo ngjan pak me atë shoferin që pasi e ka përplasur makina dhe e ka bërë copë thotë që fajin e kishte shoferi që ishte përballë se ishte me shpejtësi, semaforit që nuk u ndez, apo policit që nuk ishte aty. Thelbi në demokraci është se kush shkon në mazhorancë dhe kush shkon në opozitë”, tha Fevziu.