Sali Berisha komentoi deklaratat e Edi Ramës mbi Bullgarinë në Samitin e Brukselit, si dhe reagimet që pati Ministria e Jashtme bullgare ditën e sotme, të cilat morën përgjigjen e kreut të qeverisë.
“Bullgaria ka të regjistruar në arkivat e saj me qindra vendime miqësore me shqiptarët. Turpi të mbulojë Edi Ramën, që një vendi mik i tregon turpin, si ordiner. Bullgaria është një vend mik dhe çdo qeveritar shqiptar ka gjetur në atë qeveri veçse miq. Bullgaria u bashkua me NATO-n në betejën kundër Serbisë në Kosovë. Bullgaria ka qenë gjithmonë avokat i Shqipërisë dhe del vasali i Vuçiçit për t’i dhënë turpin atij vendi. Unë i kërkoj ndjesë popullit bullgar në emër të Partisë Demokratike dhe e garantoj se nuk është ky mendimi i shqiptarëve”, tha Berisha.
Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Berisha tha se Shqipëria nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, e këtu kryedemokrati përmend lirinë e qytetarëve, votën e lirë dhe lirinë e mediave.
“Shkaqet themelore nuk është Bullgaria, por siç ja tha vetë padroni i tij Vuçiç, janë disa vende të BE të cilat nuk janë dakord me hapjen e negociatave me Shqipërinë. Nuk janë dakord sepse Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet e vendosura nga BE, përkundrazi Shqipëria në drejtim të lirive të qytetarëve të saj, votës së lirë dhe mediave, ka shënuar rrokullisje të mëdha. Nuk është vetoja e Bullgarisë për Shqipërinë, por është regresi i demokracisë në Shqipëri dhe mosplotësimi i kushteve nga qeveria e Edi Ramës, së fundmi grabitja e mandatit të 3 me të cilin rrahte gjoksin në Bruksel, rrokullisja në lirinë e mediave, evidentimi i lidhjeve të tmerrshme me bandat në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Një shkak tjetër madhor i refuzimit të hapjes së negociatave dhe mosveçimit nga Maqedonia lidhet me faktin e paprecedentë në historinë e Brukselit. Në qoftë se ju lexoni të gjitha deklaratat para dhe gjatë samitit të Edi Ramës, ato faktojnë se ky zotëri shkoi në Bruksel jo si përfaqësues i Shqipërisë, por si vasal i Aleksandër Vuçiç dhe u soll atje sikur të ishte Dodik, President i Republikës serbe të Bosnjes, dhe jo Kryeministër i Shqipërisë”, tha Berisha.