Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ka folur për përplasjen fizike që ai pati në seancën e djeshme parlamentare me deputetin demokrat, Bledjon Nallbati.
Sinaj tha se incidenti është i sajuar nga ish-kryeministri Sali Berisha për t’i shpëtuar problemeve që ai ka me drejtësinë shqiptare.
Deputeti i PS shtoi se në lidhje me rastin në fjalë nuk do të bëjë një kallëzim në prokurori dhe se e ka falur kolegun demokrat.
“Mendoj që nuk është një incident i imi me askënd. Është një incident i sajuar nga Sali Berisha për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare. Nuk ishte personale. E kam falur. Do të jem pjesë e grupit të PS nëse merret ndonjë vendim, por personalisht nuk do ta denoncoj Nallbatin”.
Gjithashtu ai zbuloi dhe detaje nga biseda që pati me deputetin Nallbati jashtë ambienteve të parlamentit.
Socialisti tha se i kërkoi kolegut arsyen se pre e kreu një veprim të tillë, pasi marrëdhëniet mes tyre ishin shumë të mira përpara incidentit.
“Nuk kam pasur komunikim me zotin Nallbati. Jashtë seancës i thashë pse e bëri atë veprim, pasi kishim raporte normale, përshëndeteshim kur takoheshim në rrugë. Ai më tha e kisha me kartën se kisha me ju”, përfundoi Sinaj.