Në daljet publike janë gjithmonë të buzëqeshur dhe zotohen në aleancë të përjetshme. Merkel e Macron qeshin, por pasi kamerat fiken, çdo gjë ndryshon. Franca dhe Gjermania kanë një marrëdhënie dashuri-urrejtje dhe këtë e tregon më së miri, angazhimi i tyre për Bashkimin Europian.
Aksi mes Parisit dhe Berlinit nuk është dhe aq i fortë sa paraqitet. Presidenti Emmanuel Macron kërkon që të marrë stafetën nga kancelarja Merkel, dhe t’i prijë vendeve anëtare të BE-së. Por për këtë po has shumë pengesa.
Përplasja e tyre nisi pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Merkel e kishte zgjedhur figurën e saj për drejtimin e Komisionit Europian, liderin e Partive Popullore Europiane, Manfred Weber. Por kandidatura e tij u kundërshtua me forcë dhe rrëzua nga Macron, duke bërë që Franca të marrë fitoren e parë në rrugën drejt kontrollit të bllokut. Pas shumë grindjeve, Parisi bëri një lëshim, duke pranuar sërish një emër gjerman për kryesimin e Komisionit, atë të Ursula Von Der Leyen.
Samiti i liderëve të BE-së, në korrik të këtij viti, zbuloi dhe anën më të errët të Macron: Hakmarrjen. Ai e goditi Merkel tek çështja që ka më përzemër, atë të zgjerimit.
“Unë do të refuzoj në mënyrë strikte çdo zgjerim përpara reformimit të thellë të funksionimit të institucionit tonë, në mënyrë që të kemi një shpirt serioziteti”, deklaroi në korrik presidenti francez,
Qeveria e Parisit do të sigurohej që Von der Leyen mos ta kishte të lehtë rrugën, duke propozuar një emër problematik për komisioner. Silvie Goularg u rrëzua nga Parlamenti Europian, duke nxitur reagimin e ashpër të Macron kundër Gjermanisë.
E ndërsa përplasja mes Berlinit dhe Parisit vazhdon, Shqipëria duket se po qëndron në mes. Qeveria e Merkel mbështet çeljen e negociatave me kusht për vendin tonë, por Franca është skeptike dhe përdor kartën e reformimit të thellë të BE-së, një premtim i hershëm i Macron me të cilin synon të “pushtojë” bllokun duke ndryshuar mentalitetin dhe shumë politika të tij.
Duke marrë shkas nga gjendja në disa shtete, Franca synon ta vështirësojë ose ta bëjë thuajse të pamundur procesin e anëtarësimit në BE. E ndërsa nuk dihet se kur kjo betejë për lidership në Europë do të përfundojë, Shqipëria me një barrë kushtesh për t’i plotësuar me ose pa një “Po” do të vijojë të mbetet si sanduiç mes Macron dhe Merkel./A2CNN