Qeveria ka gati padinë për Presidentin e Republikës për mosdekretimin e Gent Cakajt në krye të diplomacisë.
Burimet qeveritare i thanë A2 CNN se padia do të depozitohet këtë javë, në Gjykatën Kushtetuese. Në dokumentin disafaqësh, janë rreshtuar shkeljet, që sipas mazhorancës ka bërë numri një i shtetit shqiptar.
Vetë kryeministri Edi Rama e paralajmëroi padinë ditën e parë të sesionit parlamentar.
Mosdekretimi i Gent Cakajt si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme u kthye në ‘mollën e sherrit’ Qeveri-Presidencë. Meta nuk dekretoi Cakajn ministër të Jashtëm, pasi e cilëson të papërgjegjshëm, pa përvojë, e mes të tjerash nuk ka pasur certifikatën e sigurisë si zv.ministër.
Ky nuk është rasti i parë që Meta zmbraps qeverinë. Edhe me rastin e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, u deshën dy javë kohë dhe replika të dykahshme mes institucioneve shtetërore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të finalizuar një firmë në dekret.
Edhe asokohe, Rama paralajmëroi dërgimin e çështjes në “kushtetuese”, por me firmosjen e Ish-gjeneralit, duket se u la me aq. E kundërta pritet të ndodhë me rastin e Gent Cakajt.