Politika Përplasja për furnizimin me vaksina, BE dhe Astrazeneca zbusin tonet

Përplasja për furnizimin me vaksina, BE dhe Astrazeneca zbusin tonet

Komisionerja për shëndetësinë Stella Kyriakides

Pas përshkallëzimit të përplasjeve mes vonesave në prodhimin e dozave të vaksinës, Bashkimi Europian dhe kompania Astra Zeneca me bazë në Britaninë e Madhe, zbusin tonet dhe angazhohen të bashkëpunojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Pas bisedimeve të zhvilluara mes Brukselit dhe përfaqësuesve të Astrazeneka-s, komisionerja për shëndetësinë Stella Kyriakides shprehu keqardhjen për mungesën e vazhdueshme të transparencës lidhur me afatet e dërgesave.

“Do të punojmë me kompaninë për të gjetur zgjidhjet e për t’i shpërndarë sa më shpejt vaksinat për shtetasit e BE”, tha Stella Kyriakides.

Sipas kontratës së nënshkruar me Brukselin, Astrazeneca duhej të dërgonte rreth 100 milionë doza të vaksinës deri në muajin mars, por për shkak të problemeve në prodhim, siç pretendon, njoftoi një reduktim deri në 25 milion doza.

Bashkimi Europian i kërkon kompanisë të devijojë dozat e destinuara për Britaninë e Madhe. Por kjo e fundit, e cila e ka nënshkruar marrëveshjen me Astrazeneca-n përpara Bashkimit Europian, e bëri të qartë se dozat e saj nuk preken.

“Nuk do të këtë ndërprerje të furnizimeve për Britaninë e Madhe”, tha ministri Michael Gove, ndërsa Astra Zeneca u zotua të përmbushte detyrimin ndaj Londrës, për 2 milionë doza në javë.

Ndërkaq, rregullatorët belgë nisën një hetim në fabrikën e Astra Zenecas pranë Brukselit, me kërkesë të Komisionit Europian.

Siç bëri të ditur ministri i Shëndetësisë belge, një vizitë e parë e inspektorëve të agjencisë së ilaçeve u zhvillua të mërkurën. Kampionë dhe të dhëna u morën nga fabrika ku prodhohet vaksina dhe inspektime të tjera priten në vazhdim.