Ish-kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur t’i përgjigjet në anglisht ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili të gjithë mesazhet e tij i ka dhënë në shqip.
“Lu është në ‘full conflict of interest’” tha Berisha në “Mbrëmje në ABC News” me gazetaren Mirela Milori, duke sqaruar se ambasadori amerikan është në konflikt të plotë interesi, pasi sipas tij, kryeprokurori aktual Adriatik Llalla e ka akuzuar për korrupsion dhe Lu ka dalë jashtë misionit të tij, duke ofruar edhe emra për kryeprokurorin e ri.
Milori: Do doja të ndalesha në një aktualitet që është çështja e kryeprokurorit të përkohshëm. Pak orë më parë është mbyllur orari i pranimit të kandidaturave, ka disa kandidatura për t’u emëruar prokurori i përgjithshëm i përkohshëm. Si ju duket e gjithë kjo? Fillimisht do ju pyes opinionin tuaj dhe më pas do ju pyes edhe për ndërkombëtarët.
Berisha: Thjeshtë është shndërrimi i Edi Ramës në kryeprokuror. Reformat përfundojnë me kurorëzimin e Edi Ramës kryeprokuror i Shqipërisë.
Milori: Përse ambasadori Lu sot duket se mbështet pikërisht këtë kryeprokuror të përkohshëm të përgjithshëm?
Berisha: Ambasadori Lu është në “full conflict of interest”.
Milori: Pra plotësisht në konflikt interesi.
Berisha: Plotësisht, sepse Ambasadori Lu… e para njëherë, në këtë rast Kushtetuta e Shqipërisë po merret peng nga Edi Rama. Kjo është pengmarrje e Kushtetutës. Unë po u them se ky është një nga zhvillimet më dramatike në historinë e Shqipërisë. Edi Rama e shtyu sa shkoi në Bruksel problemin, por druaj se do të ketë pasoja shumë të rënda ky veprim. Sepse nëse ti opozitës i merr peng Kushtetutën, ti asgjëson opozitën me Kushtetutë. A do pranojë opozita të asgjësohet në këtë mënyrë apo jo, unë këtë nuk e di.
Milori: Por zoti Lu tha sot se është frika e politikanëve kjo e gjitha, sepse po u ikën drejtësia nga duart.
Berisha: Zoti Lu është në konflikt interesi, se Zoti Lu ka dy probleme. Së pari do me çdo kusht që Adriatik Llalla të ikë, sepse Adriatik Llalla e ka akuzuar Zotin Lu shumë rëndë për korrupsion. Zoti Lu duhej t’i përgjigjej atij. Nuk është gazetar Prokurori i Shtetit. Prokurori i Shtetit e ka akuzuar se më ka ardhur në zyrë dhe më ka kërkuar të ndërpres hetimet për x kriminel apo dosje, gjë të cilën nuk mund ta bëjë as Presidenti i Republikës, në sistemin kushtetues të Shqipërisë nuk ekziston e drejtë e ndërprerjes së hetimit.
Milori: Keni të dhëna që Llalla thotë të vërtetën?
Berisha: Unë kam pritur që zoti Lu të përgjigjej. Është shumë e rëndë, nuk ka ndodhur në historinë e shtetit. Nuk ka ndodhur në 27 vite kjo, nuk ka ndodhur ndonjëherë që Prokurori i Shtetit të akuzojë një ambasador, me terma konkretë, me fjalë konkrete. Gjersa nuk e ka bërë, ka diçka aty. Së dyti ka kërkuar të japë emra konkretë për kryeprokurorë, gjë totalisht e papranueshme. Nëse ai do të emërojë kryeprokurorin këtu, ai pastaj del jashtë misionit të ngarkuar nga Presidenti Trump dhe qeveria amerikane.