Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy persona, të cilët sipas saj kanë marrë pjesë në përplasjen e ndodhur një ditë më parë në zyrat e Frymës së re Demokratike.
Në një njoftim për mediat, autoritetet sqarojnë se në kërkim janë shpallur Agim Hoxhaj 55 vjeç dhe Afrim Sufa 46 vjeç, të cilat akuzohen se kanë hyrë pa autorizim në zyrat e FRD dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë.
Më tej sqarohet se këta dy persona janë përplasur me efektivët të cilët kanë qenë në ruajtje të objektit.
Ky reagim i Policisë së Tiranës vjen një ditë pas përplasjes së ndodhur një ditë më parë në zyrat e FRD, ku policia bashkiake u kërkoi drejtuarve të kësaj partie të lironin zyrat. Këta të fundit kanë kundërshtuar dhe janë përplasur me forcat e rendit.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë dhe Presidenti Ilir Meta, i cili u ka dalë në krah drejtuesve të FRD dhe është përplasur me efektivët. Pas ngjarjes palët politike kanë reaguar me tone të ashpra duke hedhur akuza për njëra-tjetrën.