Një punonjës policie me origjinë shqiptare në Philadelphia të SHBA mbeti i plagosur me armë gjatë ndjekjes policore së një personi të armatosur.
Autori, një 18-vjeçar i identifikuar si Zyhiem Hartman, qëlloi me armë ndaj 3 civilëve duke i lënë të plagosur, përpara se të futej në një shtëpi dhe prej andej të hapte zjarr ndaj policisë të premten.
Polici me origjinë shqiptare Ervis Onuzi dhe kolegu i tij ishin të parët që ju përgjigjën thirrjeve pasi dëgjuan të shtënat me armë. Ata ndoqën me vrap të dyshuarin deri kur ky i fundit u fut me forcë në katin e dytë të një shtëpie.
Prej andej ai hapi zjarr ndaj oficerëve të policisë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbeti i plagosur polici Ervis Onuzi 28 vjeç.
Ai mori një plumb në bark. Efektivi u dërgua në spital në gjendje kritike, por mediat amerikane raportojnë se aktualisht është në gjendje të stabilizuar.
Edhe civilët e tjerë që mbetën të plagosur janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa autori raportohet se vrau veten.