Banorët e kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit janë konfliktuar me forcat e policisë për shkak të kontrolleve që u kryen me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Policia ushtroi kontrolle me urdhër gjykate nën dyshimet për terrorizëm dhe krime kibernetike.
Por banorët e kampit MEK nuk i kanë pritur mirë këto kontrolle të policisë me urdhër të GJKKO dhe janë përplasur me policinë.
Madje, kanë pretenduar se një banor i kampit është vrarë dhe disa janë plagosur.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit e mohon këtë pretendim dhe thotë se nuk ka asnjë viktimë dhe se informacioni i shpërndarë nga kampi i muxhahedinëve është i pavërtetë.
Kontrolli i forcave të Policisë së Shtetit brenda kampit të muxhahedinëve në Manëz nisi herët në mëngjes dhe përfundoi në mesditë rreth orës 12:00.
Ndërkohë, kontrollet që janë bërë me urdhër të gjykatës janë në kuadër të hetimeve që po zhvillon SPAK për krime terroriste dhe krime kibernetike. Urdhri i dhënë nga GJKKO deri tani bëhet me dije se ka qenë vetëm për kontrolle dhe nuk ka të dhëna për urdhër-arreste.
NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT PËR KONTROLLET BRENDA KAMPIT MEK:
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.
Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.
Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij.
Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.