Kryesore Përplasje për faljen e gjobave/ Manja: I kemi numrat dhe do e...

Përplasje për faljen e gjobave/ Manja: I kemi numrat dhe do e bëjmë. Bardhi: I anuloi Kushtetuesja, jo ju

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se ligji për faljen e gjobave të pavjela për ndërtimet pa leje do të miratohet në Kuvend, pasi socialistët i kanë numrat dhe nuk mund t’i pengojë opozita.

“A jeni dakord ju që ku Parlament t’i anulojë gjobat? Ne si maxhorancë i kemi votat dhe kemi mandat për ta bërë këtë gjë”, tha Manja në fjalën e tij në Kuvend. “Janë gjoba të paekzekutuara ndër vite. Ku Parlament ka tagrin dhe vullnetin për ta bërë këtë. Kur të vini ju, anulojini ju”.

Por për deputetin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjobat po anulohen vetëm për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, jo për vullnet të socialistëve. “Gjobat i ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Në kundërshtim flagrant me vendimin e gjykatës, institucionet në varësinë tuaj kanë vazhduar të zbatojnë një ligj të shfuqizuar. Kjo që po bëni është zhbërja e një aktiviteti terrori që ju keni bërë ndaj qytetarëve të Shqipërisë. Ju i gjobisni në vitin 2023 qytetarët në këmbim të presionit për votë. Për të shmangur përgjegjësinë penale keni sjellë me urgjencë një projektligji që bëni sikur keni falur gjobat”, tha Bardhi.