Nga Gjergji Kajana*
Këto ditë në Afganistan ka ndodhur rimarrja e pushtetit kombëtar prej talebanëve, fraksioni politiko-ushtarak që sundoi 5 vjet para 2001-shit dhe i dha strehë logjistike terrorizmit ndërkombëtar. Lindur në 1994 përgjatë kaosit që kaploi vendin pas tërheqjes sovjetike, ky fraksion bashkon një interpretim strikt të ligjit islamik me pjesë të kodit zakonor të etnisë pashtun. Protektorët ndërkombëtarë ishin Pakistani e Arabia Saudite. Siç ka shkruajtur (2000) studiuesi i tyre Ahmed Rashid, problem themelor i fraksionit në qeverisje ishte se qëndronte “në thelb i kapur mes një shoqërie tribale të cilën ata u përpoqën ta injoronin dhe nevojës për një strukturë shtetërore të cilën ata refuzuan ta ngrinin”. Në vjeshtën 2001 ata i largoi ushtarakisht nga qeverisja një koalicion ndërkombëtar udhëhequr nga SHBA e ndërthurur me këmbët në terren të militantëve të armatosur lokalë e anti-talebanë të Aleancës së Veriut. Rimarrja e pushtetit është lehtësuar nga tërheqja ushtarake amerikane. SHBA kryesonin prej 2001-shit një koalicion të gjerë vendesh (ku bëri pjesë edhe Shqipëria) me mision paqeruajtjen e formimin ushtarak të forcave të armatosura vendase, objektiva të paarritur.
Në këto ditë gjithë qëndresa e armatosur ndaj talebanëve ka qenë e paorganizuar. Bëhet fjalë, në shtrirjen e plotë të analizës së fitores së tyre, për një disfatë amerikane e perëndimore pasi në 20 vjet – siç tregon historia – është e mundur të ngrihen baza të një modeli të ri shtetëror, në prani veçse të elementesh mungues në rastin e regjimit të ish-presidentit Ghani. Rënia e regjimit fotografon paqëndrueshmërinë e tij, megjithëse hapja ndaj botës mund ta kthente në më të efektshëm e më të qëndrueshëm ndaj kërcënimit taleban.
Përse dështoi modeli i stabilizimit në Afganistan, nënkuptuar ky si procesi i ngritjes së institucioneve të qëndrueshme të një shteti (“State building”)? Më poshtë disa prej arsyeve:
1) Modeli i ri i lirive sjellë në 2001-shin u perceptua si “kolonializëm kulturor” prej shumë afganëve, edhe prej atyre anti-talebanë. Në një shoqëri tradicionale liritë elementare të Perëndimit kërkojnë një kohë shumë të gjatë për t’u brendësuar dhe përhapen më shpejt e me më tepër efekt në zonat urbane, teksa Afganistani është në shtyllën kurrizore ekonomiko-sociale një vend bujqësor e rural.
2) Korrupsioni dhe joefikasiteti i forcave të armatosura kombëtare, stërvitura prej instruktorëve të NATO-s. Në numra nominalë avantazhi i tyre ndaj talebanëve ishte në raportin 4/1 por në terren ky avantazh nuk u pa.
3) Mungesa e një kontrolli politik e ushtarak mbi gjithë territorin, plagë endemike e historisë afgane. Humbja e 2001-shit largoi talebanët prej pushtetit por jo prej vendit dhe strategjitë antikryengritëse thithën burimet strategjike të qeverisë e kualicionit të NATO-s. Kontrolli i lartë i territorit përbën një bazë suksesi për çdo lloj strategjie stabilizimi postkonfliktual. Megjithëse me intensitet jo të njëjtë si më parë, konflikti në vend nuk rreshti kurrë në dy dekadat pas rënies së talebanëve.
4) Mungesa e një strategjie të vërtetë postluftarake e shtetndërtimi në Afganistan pas ndërhyrjes amerikane të 2001-shit. Në fjalimin e djeshëm presidenti amerikan Joe Biden ritheksoi se objektivi i pranisë 20-vjeçare perëndimore ishte mposhtja e rrezikut terrorist të Al Qaeda-s dhe jo procesi i komb-ndërtimit (në SHBA ky term është shumë shpesh sinonim i stabilizimit nënkuptuar me “State building”). Efekt bumerang i jostrategjisë mund të jetë se një shtet i dështuar mund të rikthehet përsëri në një terren rigjenerimi për forca antiamerikane e antiperëndimore, përveçse në klient të Kinës, Pakistanit e Rusisë. Në planin gjeostrategjik humbja e Afganistanit është tërheqje e plotë e Perëndimit prej një vendi aleat.
5) Stabilizmi modernizues kërkon një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e të zgjatur në kohë bazuar në prodhimin e konsumin e brendshëm. Rritja ekonomike qe e fortë pas luftës së 2001-shit por vendi mbetet shumë i varur prej ndihmave të jashtme (që janë rreth 1/5 e PBB-së e rikthimi i talebanëve i vendos në rrezik) e i goditur nga korrupsioni.
Modele të mëparshme të suksesshme stabilizimi postkonfliktual mund të quhen demokratizimi i Gjermanisë Perëndimore, Italisë e Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore e ai në proces i Kosovës pas 1999-s. Në të katër rastet kontrolli i territorit ishte shumë i fortë dhe (ndryshe nga Afganistani) përkrahja popullore për stabilizimin thuajse totale në një kontekst etnikisht shumë homogjen. Në fakt mund të konkludohet se ndërhyrja perëndimore në Afganistan s’kishte qëllime afatgjata zhvillimi institucional e politik (ndryshe nga ndërhyrjet në kontekstin post-1945 e ajo në Prishtinë) por thjesht stabilizimi ushtarak e paqeruajtjeje.
Një vend në një rajon delikat ekuilibrash gjeopolitikë për botën po kthehet në një gjendje sociale gati mesjetare e hipermaskiliste, në një kuadër kaosi që sheh Perëndimin në tërheqje të çorganizuar. Ashtu si në Irak, stabilizimi postkonfliktual dështoi në Afganistan. Duke pasur parasysh edhe kaosin sirian, palestinez, libik e ukrainas, përvjetori i 20-të i sulmeve të 11 Shtatorit jep shumë pak arsye për një botë më të sigurt. Dështimi total perëndimor në Kabul thekson nevojën për angazhime afatgjata e më të thella stabilizimi të kërkuar në kontekste të ndërlikuara e të pasigurta, duke nxjerrë në pah se zgjedhjet e mesme janë të paefektshme.
*Gazetar freelance, Diplomuar në Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “La Sapienza” të Romës