Nga Miron Çako
Gjithmonë 6 Janari është një ditë e veçantë në fillim të vitit, ku besimtarët e krishterë,por jo vetëm ju drejtohen kishave orthodhokse,sepse klerikët orthodhoksë i luten Perëndisë që të shenjtërojë ujin me këto lutje:“Që të shenjtërohet ky ujë me fuqinë, veprimin dhe me ardhjen e Shpirtit të Shenjtë, le t’i lutemi Zotit që të zbresë mbi këtë ujë energjia pastruese e Trinisë së përmbishenjtë le t’i lutemi Zotit. Që t’ju dhurohet hiri i çlirimit, bekimi i Jordanit le t’i lutemi Zotit. Që të bëhet ky dëbues i çdo mendimi të keq, armiqsh të dukur dhe të padukur le t’i lutemi Zotit”.
Kjo lutje mbaron me një tjetër lutje madhështore të lavdërimit kozmik të Perëndisë, në të cilën Jisu Krishti, Biri i Perëndisë edhe Biri i Njeriut, thirret të shenjtërojë ujin, dhe me anën e ujit të gjithë njerëzit dhe gjithë krijimin,ashtu siç u shfaq kur u pagëzua në lumin Jordan: “Ti, o mbret Njeridashës, ji këtu dhe tani me për mbiardhjen e Shpirtit Tënd të Shenjtë dhe shenjtëroje këtë ujë…Dhe jepi hirin e çlirimit, bekimin e Jordanit; bëje burim paprishjeje, dhuratë shenjtërimi, zgjidhje mëkatesh, largim sëmundjesh, shkatërrim demonësh, të paafruar për fuqitë kundërshtare, të mbushur me fuqi ëngjëllore, që të gjithë sa nxjerrin dhe kungohen, të kenë për pastrim shpirtrash dhe trupash, për shërim pësimesh, për bekim shtëpish dhe të përshtatshëm për çdo dobi.”
Në kohën kur psalet përlëshorja e festës: “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot.. .”prifti ose episkopi e zhyt Kryqin, simbolin e Krishtit, në ujë tri herë dhe pastaj vazhdon duke spërkatur me ujë të katër drejtimet e horizontit. Pastaj duke i spërkatur me ujin e shenjtëruar, bekon kishën, popullin e mbledhur dhe më pas shtëpitë e tyre sipas mundësisë dhe dëshirës së njerëzve.
Shërbesa e “Bekimit të Madh të Ujit” bëhet edhe jashtë kishave orthodhokse, në vende ku ka ujë me shumicë si pishina, liqene, lumenj apo det, ku klerikët e hedhin kryqin dhe në këtë moment edhe pse është dimër, zakonisht një mot i ftohtë,disa besimtar të guximshëm hidhen në ujë duke u përpjekur të kapin kryqin si një trofe.
Kjo gjë, për disa njerëz që nuk e njohin doktrinën orthodhokse, duket thjesht një ceremoni apo një rit i bukur festiv, ashtu si shumë rite të tjera që i bëjnë njerëzit edhe popujt me kulturë në vende të ndryshme. Madje disa njerëz mendojnë se kjo shërbesë e Kishës Orthodhokse është një ritual pagan, i cili ka hyrë gabimisht në kishën e krishterë.
Kjo shërbesë e bukure Kishës Orthodhokse nuk është thjesht një ritual apo ceremoni pagane, por një mister i madh. Të krishterët orthodhoksë besojnë se, që kur Biri dhe Fjala e Perëndisë mori mish njerëzor dhe hyri në hapësirën edhe kohën tonë me emrin Jisu Krisht dhe u zhyt në ujërat e Jordanit, e tërë materia që ka si element të parë ujin u shenjtërua, u mbush me hirin e Krishtit. Prandaj uji i bekuar ndryshe nga çdo ujë tjetër nuk prishet, por qëndron i freskët pavarësisht nga koha që mund të jetë i mbyllur në një enë.
Ky fenomen hyjnor që ndodh vetëm në Kishën Orthodhokse është një fakt, ku të gjithë njerëzit si fetarë, gnostikë apo edhe ateistë duhet të ndalojnë së menduari dhe të pyesin: Pse uji i bekuar tek orthodhoksët nuk prishet?
Njerëzit mund të japin përgjigje nga më të çuditshmet, p.sh:disa me një përgjigje plot siguri thonë se uji nuk prishet, sepse priftërinjtë hedhin në enën ku mbahet uji një kryq të argjendtë dhe sipas tyre argjendi lëshon molekula që ngordhin bakteret. Kjo duket si një përgjigje shkencore dhe shteruese, por vëzhgimi më i kujdesshëm tregon se kjo përgjigje nuk është aspak e tillë, sepse kryqi që hidhet nuk është gjithmonë i argjendtë,por mund të jetë i bronztë, i drunjtë edhe aq më tepër kur kryqi hidhet në ujërat e liqenit apo lumenjve; kështu pra, si është e mundur që përsëri uji nuk prishet?
Për ta kuptuar këtë mister duhet të kuptojmë në fillim përse uji dhe çdo element tjetër i kësaj bote korruptohet,prishet: si bimët, kafshët edhe vetë njerëzit me sëmundjen edhe vdekjen që duket si një ligj i pashmangshëm natyror. Këtë nuk mund të na e shpjegojë asnjë nga shkencat ekzakte, sepse askush nga shkencëtarët nuk mund të ekzaminojnë shkakun, përse gjithçka si gjallesë apo specie lindin, lulëzojnë, pastaj papritur procesi ndërpritet edhe speciet shkojnë drejt dekadencës, prishjes dhe asgjësimit,jo vetëm qeniet e gjalla në këtë planet, por edhe vetë ato përtej planetit tokë, si dielli, hëna, yjet edhe vetë kozmosi, që shkon pashmangshmërisht drejt një dekadence, ashtu si na i shpjegon ligji i dytë i termodinamikës ose Entropisë zbuluar më 1850 nga William Rankine, i cili pranohet si një nga ligjet themelore të fizikës, që thotë se: “Në kushte normale, të gjitha sistemet natyrore ose të krijuara, që kanë mbetur në veten e tyre, do të tentojnë të çrregullohen, do të lëkunden dhe do të shkatërrohen në proporcion të drejtpërdrejtë me gjatësinë e kohës që kalon”; sipas ligjit, nuk ka shmangie nga ky proces. Kozmologjia përgjigjet se gjithësia materiale, natyra, nuk është e përjetshme, ajo do të ketë fund, edhe pse ky fund mund të jetë i largët. Gjithësia nuk do t’i shpëtojë dot këtyre dy vdekjeve të mundshme: vdekjes nga të ftohtët ose vdekjes nga zjarri.
Vërtet shkenca na konstaton se gjërat prishen edhe shkojnë drejt asgjësimit, por shkakun e prishjes nuk na e thonë dot sepse nuk është një shkak fizik, por metafizik.
Përgjigjen: pse nuk prishet uji i bekuar, mund të na e japë vetëm shkenca e teologjisë, që merret me atë qëështë përtej fizikës.
Sipas teologjisë orthodhokse, bazuar në librin e Biblës:“Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave” (Zananafilla 1:1-2). Të gjitha u krijuan nga Perëndia Triadik, Ati me anën e Birit(Fjalës) edhe Shpirtit të Shenjtë: “Qiejt u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij”(Psalmi 33:6). Të gjitha i krijoi Perëndia, edhe njeriun si kurorë të krijimit, i krijoi të pavdekshme me një rini të përjetshme,ashtu si përsëri Zanafilla na njofton: “Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë dhe ja, ishte shumë shumë e mirë”(Zanafilla 1- 31).
Prishja, kalbja, ngordhja dhe vdekja erdhi në botë nga zilia e djallit, një engjëll i rebeluar i cili mashtroi njerëzit e parë (Adamin dhe Evën) që edhe ata të rebeloheshin ndaj vullnetit Hyjnor. Me mëkatin fillestar, ngrënia e frytit të ndaluar, që u krye në kopshtin e Edenit,njeriu dhe gjithë krijesa për shkakun e tij iu dorëzua prishjes. Vetë Zoti i tha Adamit: “për shkakun tënd toka do të jetë e mallkuar” (Zanafilla 3:17-18).Pavarësisht se gjithçka shkon drejt prishjes, në thelb ajo që krijoi Zoti mbetet shumë e mirë.
Meqenëse uji është elementi bazë nga katër elementët e botës dhe i vetë jetës fiziologjike, te çdo gjallesë, djalli, qenie e korruptuar, zaptoi të parin ujin. Kështu uji u bë banesë e frymëve të ndyra (demonëve), të cilët nëpërmjet ujit, që është kudo, e gjithë natyra preket nga prishja dhe kështu lëngon nën peshën e prishjes dhe mbi të gjitha ky ligj vdekjeje rëndon mbi vetë njerëzit që janë viktimat e djallit,dhe shkaktarët që prishja hyri në botë edhe në gjithë universin, sepse gjithçka u krijua për njeriun, ashtu siç na e sqaron shën Pavli: “sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë jo me vullnetin e vet po për shkak të atij që e nënshtroi, me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë, se e dimë se deri tani mbarë krijesa psherëtin bashkë dhe ndodhet bashkë në dhimbjet e lindjes” (Romakëve 7:19-22).
Të krishterët besojnë se qysh kur Biri dhe Fjala Perëndisë që“është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese,sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiej dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të” (Kolosianëve 1:16-17),mori mish njerëzor dhe në moshën 30-vjeçare u zhyt në ujërat e Jordanit për t’u pagëzuar, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua në Atë,krijimi dhe vetë njerëzimi u la prej cilësive të këqija që kishin të bënin me mëkatin edhe vdekjen,sepse Krishti,duke u zhytur në ujëra,shkatërroi foletë e demonëve qërrinin të fshehur në ujëra, ashtu siç e profetizon shën Isaia (shek. 7 para Kr.): “Perëndia, Mbreti ynë, para jetëve bëri shpëtim në mes të dheut; Ti e fuqizove në fuqinë tënde detin,ti dërrmove krerët e dragonjve mbi ujin” (Isaia:73).
Pagëzimi i Krishtit quhet edhe Epifani, që do të thotë “shfaqja e Zotit nga lart”, i gjithë krijimi bëhet përsëri i mirë, me të vërtetë shumë i mirë edhe është një ikonë e krijimit të ri, që do të rikrijohet përsëri në ardhjen e dytë të Krishtit në botë, ku Perëndia në Krishtin do të jetë i gjithi në të gjitha dhe:“atëherë djallin që kishte mashtruar do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit”(Zbulesa 20:10).
Shenjtërimi i ujërave në këtë të kremte të Kishës Orthodhokse e vendos tërë botën, nëpërmjet elementit të saj primar, ujin, në perspektivën e krijimit, shenjtërimit e lavdërimit kozmik të Mbretërisë së Perëndisë në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, si është në qiell edhe në tokë, që bota dhe njeriu me të vërtetë ishin krijuar dhe shpëtuar, që të jenë: “mbushur me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:19).
Kjo na tregon gjithashtu se “qielli i ri dhe dheu i ri”, të cilat Perëndia i ka premtuar me anë të profetëve dhe apostujve të tij:“Sepse ashtu si qiejt e rinj dhe toka e re që unë do të bëj do të jenë të qëndrueshëm para meje”, thotë Zoti ”(Isaia 66:22). “Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia”(II Pjetrit 3:13). “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më”(Zbulesa 21:1), janë me të vërtetë tashmë me ne, në misterin e Krishtit dhe të Kishës së tij si ç’është edhe misteri i bekimit të ujit, i cili nuk prishet, sepse në atë qëndron hiri i Shpirtit të Shenjtë, i cili dërgohet në botë nga Ati me anën e Birit, nëpërmjet lutjes së Kishës Orthodhokse, që me mburrje në Zotin i fton të gjithë njerëzit me fjalët e profetit: “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat” (Isaia 55:1-13). “Me gëzim merrni ujë nga burimet e shpëtimit. Atë ditë do të thoni: Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij. Këndojini lavde Zotit. Bërtitni e ngazëllohuni nga gëzimi“(Isaia 12:3-6).
*Përgjegjësi i Zyrës së Katiekizmit pranë Kryepiskpatës së KOASH-it.