Aktualitet Përse shumë shqiptarë janë të bindur se e kanë kaluar Covid-19?

Përse shumë shqiptarë janë të bindur se e kanë kaluar Covid-19?

Një javë përpara se në Itali të zbulohej rasti i parë me Covid-19, Liljana D. filloi të kishte kollë të thatë dhe vështirësi në frymëmarrje. “Isha shumë keq”, thotë 50-vjeçarja për Gazetën “Si”. “Më merrej fryma sa bëja disa hapa”.

Disa javë më vonë, Shqipëria raportoi rastin e parë me Covid-19, i cili ishte kthyer nga Italia. Një javë pas kësaj, vendi ynë mbylli bizneset jothelbësore dhe urdhëroi qytetarët të qëndronin në shtëpi. Mes tyre ishte edhe Liljana. Ajo nuk kishte pasur prej kohësh asnjë problem shëndetësor. “Mua nuk më zinte gripi kurrë dhe nuk kishte provuar diçka të tillë në jetë”, thotë ajo.

E mbyllur në banesën e saj në Tiranë, ajo filloi të pyeste veten nëse kolla e thatë që kishte përjetuar javë më parë kishte qenë simptomë e koronavirusit?

Në të vërtetë, virusi kishte mbërritur në të gjitha vendet, përpara se të zbulohej nga autoritetet. Madje, siç u zbulua së fundmi, Franca kishte trajtuar pacient me Covid-19 përpara se ai të shfaqej zyrtarisht në Kinë. Po ashtu, mjeku shqiptar Gëzim Xhepa ka publikuar disa imazhe të mushkërive të pacientëve, të cilët janë trajtuar në Spitalin Infektiv në Tiranë që në muajin janar të këtij viti. Referuar dëmtimeve të mushkërive që paraqesin fotot, Xhepa shprehet se që në muajin janar, koronavirusi ka qenë prezent në Shqipëri. Ai thotë se imazhet radiologjike janë realizuar nga mjeku imazherist Dr. Renato Osmenaj, i cili nxori gjithashtu i pari dëmet që Covid-19 u shkaktonte në mushkëri.

“Ndonëse prej 6 javësh kam hedhur hipotezën dhe argumentet e tërthorta logjike për praninë e koronavirusit në Shqipëri që në muajin shkurt dhe kalimin e pikut të epidemisë para vendosjes së karantinës, gjithnjë më është kërkuar nga skeptikë argumenti faktik, për të cilin kam tre javë që i kërkoj departamentit të imazherisë të fillojë hulumtimin e imazheve pulmonare të epidemisë që në janar”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Kjo hipotezë duket se i përgjigjet pyetjes së shumë shqiptarëve që mendojnë se e kanë kaluar tanimë virusin.

“Jam e sigurt se e kam kaluar,” thotë nga ana tjetër Albiona T., e cila si shumë studentë është detyruar po ashtu të qëndrojë në shtëpi. Pas etheve, kollës dhe problemeve me frymëmarrjen, mjekët i thanë se kishte ftohje dhe i dhanë disa antibiotikë. Edhe ajo filloi të shfaqte këto simptoma në shkurt.

“Pas një javë u bëra më mirë”, i thotë ajo Gazetës “Si”. “Ne u sëmurëm të gjithë në shtëpi, një më pak një më shumë. Të njëjtat simptoma kishte edhe një i afërmi im…doktorët i thanë se kishte alergji”, i tregon ajo Gazetës.

Raste të tilla janë aq të shpeshtë sa shumë prej nesh kanë dikë në rrethin tonë familjar që mendon se e ka kaluar tanimë virusin. Por nuk jemi të vetmit.

Gazeta “Washington Post” shkruan se kohët e fundit ka marrë mijëra mesazhe nga qytetarë amerikanë që janë të bindur se kanë pasur simptoma të Covid-19 që në janar. Mediat europiane flasin po ashtu për një fenomen të ngjashëm.

Sipas shkencëtarëve, një nga shpjegimet mund të jetë se shumë njerëz po preken nga sindroma “Thinkihadititis”, një gjendje që prek njerëzit që kanë përjetuar simptoma të ngjashme me Covid-19, përpara se koronavirusi të shfaqej. Ajo ndodh kur lajmet dhe gjetjet shkencore depërtojnë në pjesët e trurit që na bën të shpresojmë.

Askush nuk dëshiron të sëmuret me Covid-19, por të gjithë duan ta kenë kaluar.

“Thinkihadititis” mund të jetë një formë e të menduarit me pozitivitet”, thotë Tali Sharot, eskperte në Universitetin e Londrës. “Kur ka diçka që ne duam të besojmë, ne jemi të prirur në interpretimin e provave që mbështesin këtë besim”, thotë Sharot.

Dhe hulumtimet e fundit sugjerojnë që shumë njerëz tashmë e kanë pasur atë pa e ditur. Epidemiologët kanë thënë që numri i infeksioneve në Europë dhe SHBA e tejkalon numrin zyrtar të rasteve, madje mund të jetë dhjetë herë më shumë. Mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero i ka thënë Gazetës “Si” se në vendin tonë numri i të infektuarve kishte të ngjarë të jetë të paktën 10 herë më i lartë, pasi një pjesë e madhe e të prekurve nuk shfaqin simptoma.

Pas dy muajve të gjatë të lajmeve të këqija në lidhje me efektet dhe vdekshmërinë e paparashikueshme të Covid-19, kolla misterioze, ethet, dhimbjet në gjoks, na ka bërë të gjithëve të pyesim veten: A u jemi bashkuar tashmë radhëve të të shëruarve?

Mjekët shprehen se njerëzit po bëhen edhe më konfuzë sepse Covid-19 ndan disa simptoma me gripin sezonal dhe alergjitë e zakonshme.

Mënyra e vetme për ta ditur nëse e keni kaluar vërtët koronavirusin ose jo, është të bëni një test antitrupash. Ato mund të ofrojnë lehtësim nga ethet e dyshimit. Të njohura gjithashtu si teste serologjike, ata përcaktojnë nëse gjaku i një pacienti ka zhvilluar tashmë antitrupa, të cilat janë proteina që na ndihmojnë të luftojmë infeksionin. Prania e antitrupave do të thotë që sistemi imunitar i pacientit tashmë është ekspozuar ndaj virusit. Qeveria shqiptare ka premtuar që testet priten të bëhen të disponueshme në shkallë vendi, pas testimit të mjekëve dhe policëve. “Në fazën e dytë, ne do të dëshironim të zgjeronim testimin në të gjithë vendin për të gjetur ata që janë infektuar sa më shpejt të jetë e mundur dhe ata që kanë formuar imunitet,” tha para disa ditësh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastilliu.

Testimet seriologjike ishin ato që zbuluan shkallën reale të infeksionit në Bullgari, përshembull. Ajo nuk është një nga vendet më të prekua nga pandemia e koronavirusit, përkundrazi, në bazë të numrit të popullsisë, (7 milionë) është prekur më pak se Shqipëria. Por testet serologjike kanë zbuluar se shumica e qytetarëve kanë fituar tanimë imunitet. Autoritetet bullgare janë duke fshehur rezultatet e testeve, të cilat sugjerojnë se një pjesë e madhe e popullsisë e kishte kaluar Covid-19. Një investigim i gazetës europiane “Euractiv” ka zbuluar se edhe qeveria bullgare ka mbetur e tronditur nga shkalla e infeksionit në vendin ballkanik.

Por rezultatet nuk janë gjithnjë ato që presim. Mjekët amerikanë, ku testimi seriologjik po bëhet në masë, thonë se disa nga pacientët negativë sigurisht janë të zhgënjyer, pasi do të donin ta kishin lënë virusin pas krahëve.

Burimi: Gazeta Si