Historia përsëritet. Për të dytën verë radhazi, Cristiano Ronaldo është në kërkim të një skuadre. Verën e kaluar, situata ekonomike e Juventusit dhe ftohja e klubit me portugezin e shtyu ta gjente fatin te Manchester United pas shumë kërkimesh. Tani, 12 muaj më vonë, CR7 kthehet për të kërkuar strehim.
Ai nuk e ka të lehtë, nuk është më 20 vjeç që t’i bashkëngjitet një projekti, aq më tepër në situatën delikate në të cilën ndodhet bota e futbollit, me përjashtim të Premier League që jeton në kujritë e gjithçkaje dhe të gjithëve për shkak të aftësisë së saj për të gjeneruar para. Korrikun e kaluar, ai ëndërroi rikthimin te Real Madridi. Tani e di se kjo është e pamundur.
Portugezi, i cili tashmë ka njoftuar “Djajtë e Kuq” mbi vendimin e tij për ta shitur në merkato, nuk i është bashkuar as seancës së parë stërvitore të Manchester United, ditën e sotme. CR7 thuhet se e ka shtyrë kthimin e tij në stërvitje me “Djajtë e Kuq” për arsye familjare.
Sot ka vetëm dy destinacione të mundshme për të, në nivelin më të lartë. I pari do të ishte vazhdimi në Premier League. Destinacioni i dytë shihet PSG, nëse sheikët nga Katari nuk heqin dorë nga yjet e vjetër, sikurse njoftoi disa ditë më parë Al Khelaifi. E vetmja gjë e mirë është se Botërori nuk e kushtëzon.
Jorge Mendes, agjenti i tij, e di se situata nuk është e lehtë. Manchester United, nga ana e tij, i ka thënë qartë se për momentin duhet të fillojë parasezonin, pasi i ka mbetur edhe një vit nga kontrata. Në mungesë të propozimeve të duhura, Ronaldo duhet të respektojë atë që është firmosur. Tajlanda dhe Australia do të jenë destinacionet e tij të ardhshme, në turnetë verorë të Manchester United.
37 vitet e sulmuesit dhe paga e lartë, shto këtu shifrën e konsiderueshme për prishjen e kontratës në “Old Trafford” e bëjnë atë një aventurë të rrezikshme për çdo ekip. Nga shumëkush konsiderohet një operacion i pamundur për t’u supozuar. Performanca e tij individuale është aty, por dy përvojat e fundit nuk kanë qenë të mira në planin kolektiv.
Te Real Madridi nuk ka asnjë mundësi për rikthimin e Cristiano Ronaldos apo Sergio Ramos. Janë dy lojtarë që shënuan epokë, që dhanë maksimumin për “Los Blancos”, por që ndoqën rrugë të ndryshme, secili në mënyrën e vet, pa mundësi kthimi.