1035 bimë narkotike të kultivuara në vazo dhe 907 fidanë narkotikë të kultivuar në kubikë, janë sekuestruar ditën e sotme në Vorë në kuadër të operacionit policor të koduar “Mirakaj 2”.
Policia bën me dije se është shpallur në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve K. K., 46 vjeç, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë bashkëshortja e tij, shtetësja A.K 44-vjeçe.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi L. Sh., 53 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
“Gjatë kontrollit të një ambienti (magazinë), në përdorim nga shtetasi K. K., shërbimet e Policisë kanë evidentuar një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të pajisjeve të ndryshme elektrike që furnizoheshim me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Shtetasja A. K. ishte në dijeni të këtij aktiviteti kriminal dhe nuk ka kallëzuar krimin, ndërsa punonjësi i OSHEE-së, shtetasi L. Sh., nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në këtë banesë”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.