Ekonomi Persona të paautorizuar po hiqen si punonjës të Tatimeve, si t’i dalloni...

Persona të paautorizuar po hiqen si punonjës të Tatimeve, si t’i dalloni që janë mashtrues

Persona të paautorizuar janë duke mashtruar bizneset duke u prezantuar si punonjës Tatimorë. Për këtë arsye, Administrata Tatimore ka publikuar disa elementë dallues në mënyrë që bizneset të mos bien pre e mashtrimit.

Pronarët e bizneseve duhet të kenë parasysh që punonjësit e Tatimeve mund të identifikohen me anë të badge-it, që përmban emrin, mbiemrin, foton, pozicionin e punës dhe emërtimin e drejtorisë.

Po ashtu, nga urdhri i punës i firmosur nga drejtuesi i Drejtorisë përkatëse dhe uniformat dalluese me mbishkrimin: Administrata Tatimore.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje tatimpaguesve që të bëjnë kujdes nëse përballen me persona të dyshimtë, që nuk i kanë elementet si më sipër dhe të mos lejojnë futjen e tyre në ambientet e biznesit.