Sipas një studimi të ri, njerëzit që preferojnë të shkojnë në shtrat vonë dhe të zgjohen po vonë, kanë më shumë rrezik që të vdesin më të rinj.
“Rreziku i shtuar i vdekshmërisë i lidhur me të qenit një person ‘mbrëmje’ duket se shkaktohet kryesisht nga një konsum më i madh i duhanit dhe alkoolit. Kjo krahasohet me ata që janë qartësisht persona të ‘mëngjesit’”, thotë autori i studimit Christer Hublin.
Studimi, i botuar të premten në revistën Chronobiology International, është një vazhdim i një studimi të bërë në vitin 2002. Studimi i ri ndoqi gati 24.000 binjakë nga viti 1981 deri në 2018.
Kur studimi filloi fillimisht, secilit binjak iu kërkua të zgjidhte një përgjigje nga alternativat e mëposhtme: Unë jam padyshim një person i mëngjesit; Unë jam deri diku një person i mëngjesit; Unë jam padyshim një person i mbrëmjes; ose jam deri diku një person i mbrëmjes.
Vetëm rreth 10% e binjakëve e përshkruan veten si njerëz të mbrëmjes, ndërsa 33% thanë se preferonin ndonjëherë të qëndronin zgjuar deri vonë. Mbi 29% ishin qartësisht njerëz të mëngjesit, ndërsa 27.7% të tjerë e përshkruanin veten si disi të prirur për të preferuar mëngjeset.
Për studimin e ri, studiuesit shikuan të dhënat e vdekjeve të një nëngrupi (8728 pjesëmarrës) të studimit origjinal. Pas rregullimit të të dhënave për të llogaritur nivelin arsimor, përdorimin e alkoolit, pirjen e duhanit, nivelin e masës trupore dhe kohëzgjatjen e gjumit, studimi zbuloi se të qenit një person që preferon të qëndrosh deri vonë natën dhe të zgjohesh po vonë, rrit rrezikun e një vdekje të hershme me rreth 9 për qind krahasuar me personat që preferonin të flinin herët dhe të zgjoheshin herët.
“Dihet se personat që qëndrojnë natën deri vonë kanë më shumë gjasa të pinë cigare, alkool dhe substanca të tjera”, thotë Bhanu Prakash, një specialist gjumi.
“Problem tjetër mund të jetë fakti se ato që flenë vonë mund tu duhet të zgjohen herët për shkollë dhe punë dhe kështu përfundojnë duke fjetur më pak. Dihet tashmë se mungesa e gjumit rrit rrezikun e sëmundjeve”, thotë Prakash.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se personat që flenë vonë mund të jenë në rrezik më të lartë për sëmundje kronike. Një studim i vitit 2022 zbuloi gjithashtu se këto persona qëndrojnë më shumë ulur, kanë nivele më të ulëta të aktivitetit fizik, djegin më pak yndyrë dhe kanë më shumë gjasa të jenë rezistentë ndaj insulinës.