Nga Lutfi Dervishi
Është koha kur televizione dhe portale nxitojnë të shpallin “Njeriun e Vitit,” duke i dhënë popullit mundësinë të pyesë: “Po ky/kjo nga doli?”
Jeni ju qe me votat tuaja do të zgjidhni “Personin e vitit 2024”
1- Gjithologu
Një figurë e njohur e ekranit që ka komentuar çdo temë nga lufta në Ukraine e Gaza deri te çmimet e specave në Laprake. Sigurisht pa lexuar ndonjëherë lajme.
2- Investitori Strategjik
Ky hero “i heshtur” ka bërë të mundur zhdukjen e çdo plazhi të virgjër. Falë tij, dhe mbështetjes së pakufishme të qeverisë çdo plazh në bregdetin shqiptar tani ka një hotel ku mund të pish një kafe me çmimin e një bilete avioni.
3- Korçari
Idhulli i brezit të ri, ky djalosh korçar, fitues i llotarisë amerikane përfaqëson ëndrrën më të madhe shqiptare të të rinjve, largimin nga vendi.
4- Protestuesi virtual
Ky hero i rezistencës ndaj regjimit Tiranës nuk ka dalë kurrë nga shtëpia , por ka protestuar me 3,000 statuse në rrjete sociale që nuk i ka lexuar kush. Trima të tillë lindin një herë në shekull!
5- Kuksiani
Emigroi ilegalisht në Angli dhe tani flet për suksesin shqiptar në TikTok, ndërkohë që punon në të zezë si lavapjatës. Ai është simbol i ëndrrës shqiptare!
6- Pensionisti
Prova e gjallë se Zoti ekziston sepse nuk ka shpjegim shkencor që një pensionist të mbajë frymën gjallë me pensionin që merr.
7- Ala Ari
Ky sipërmarrës arab ka sjellë një peshk të artë në portin e Durrësit, duke premtuar se ai do të plotësojë tri dëshira për shqiptaret. 1. portin e ri 2. Portin turistik. 3. Dubai në Durrës.
8- “Call-center”-isti i shekullit
Përfaqësues i një sektori që po lulëzon, dhe që ka arritur të bindë klientët italianë se janë duke folur me një bankë në Milano, ndërkohë që zëri i tij dëgjohet nga një dhomë në Bathore.
9- Fakeperson
Njeriu që mund të shpikë një lajm për çdo gjë që, nga “alienët në Kakome” deri te “Shpikja e vaksinës antikorrupsion.”
10- Këngëtarja e viteve ‘80
Pa kënduar asnjë këngë të re këtë vit, ajo arriti të bëjë më shumë jehonë se të gjithë festivalet e RTSH-së bashkë. Nostalgjia që ngjalli ka qenë aq e fuqishme, sa janë të shumtë ata që besojnë se duke kënduar mund të rikthejnë rendin socialist.