Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit të Riskut Standard & Poor’s ka konfirmuar të njëjtin vlerësim B+ për Shqipërinë, në parashikimin e ekonomisë për këtë vit, si një perspektivë e qëndrueshme.
Standard & Poor’s projekton një nivel rritje ekonomike 4.5% për këtë vit, por duke marrë parasysh një situatë ku pandemia do të zbutet dhe nuk do të ketë një valë tjetër të fortë infektimesh, e cila do të aktivizonte skenarin e një mbylljeje tjetër të aktivitetit ekonomik.
“Në vitin 2020 ekonomia e Shqipërisë u kontraktua me 5%, ndërsa pandemia ka patur ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin e turizmit. Ky impakt është më i theksuar në Shqipëri se në vendet e tjera të rajonit për shkak të peshës që kjo degë ka në Shqipëri.”
Por agjencia tërheq vëmendjen lidhur me nivelin e lartë të borxhit publik, i cili edhe për këtë vit do të mbetet në 77% të prodhimit të brendshëm bruto.
“Niveli aktual i borxhit publik është i lartë dhe këtë vit borxhi pritet të arrijë në 77% të prodhimit kombëtar, ndërsa pritet të bjerë prej vitit 2022.”
Standard & Poor’s kërkon respektimin e ligjit kufizues, i cili detyron qeveritë të ulin borxhin derisa ai të arrijë në nivelin 45% e PBB, nga ana tjetër rikuperimi i ekonomisë dhe implementimi i sistemit të fiskalizimit priten sipas agjencisë të përmirësojnë mbledhjen e të ardhurave në buxhet.