Kryeministri Edi Rama ka dhënë sinjalet se një pjesë e deputetëve të kësaj legjislature nuk do të jenë në lista për deputetë të 2025
Në fjalën e tij në Kongresin e PS, Rama kërkoi ndjesë për disa kategori deputetësh që sipas tij nuk e kanë kryer detyrën siç duhet. Sipas Ramës, ka deputetë që as nuk paraqiten në kohë, dalin në zonë vetëm kur shkon ai, trokasin në zyrat e shtetit për punët e tyre, flasin rrallë në Kuvend, apo edhe nga ata që “gjuajnë” brenda shtëpisë.
“Prandaj dua t’u kërkoj ndjesë sot gjithë atyre në këtë sallë dhe jashtë saj, që deputetë nuk janë, por kanë investuar mundin e tyre dhe kanë dhënë votën e tyre që një grusht njerëzisht të kësaj përfaqësie të madhe të PS të jenë këtu sot si deputetë.
Dua t’ju kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë këtu të ulur mes nesh që nuk e kanë përmbushur akoma as minimumin etik të paraqitjes në kohë dhe në çdo kohë për detyrën për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve shumë më mirë, se sa shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në popull vetëm për të më shoqëruar mua kur shkoj në zonën e tyre, apo që shkojnë në organizatat e partisë vetëm për të bërë një fotografi prezence ku zhvillohet një fushatë anëtarësimesh.
Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që u del zëri vetëm kur trokasin në punët e shtetit vetëm për punët e tyre, të familjes së tyre dhe tarafit të tyre. Apo edhe ata deputetë që kur kanë zbritur në sallë nga tryeza e qeverisë duken në foltoren e kuvendit një herë në Hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga Hëna, ndërsa takimet me njerëzit i bëjnë vetëm me njëri tjetrin. Natyrisht për vatanin por kryesisht për të rejat e fundit nga portalet e thashethemeve për qeverinë.
Një ndjesë të veçantë edhe për disa që u është bërë ves të bëjnë komentatorin e kolegëve dhe të qajnë halle karriere me dashakeqës lloj lloj të kësaj shtëpie, apo të gjuajnë brenda shtëpisë nga frëngjijtë e disa pocaqi kanaleve dhe portaleve duke hedhur gurin dhe fshehur dorën, por duke harruar jashtë gjuhën e tyre që nuk pushon.
Ndjesë për këdo deputet që nuk u takon kjo fjalë sepse fatmirësisht nuk janë të gjithë dembelë dhe kokëçarës ndaj detyrave që ose e nderojnë deputetin në sytë e zgjedhësve”, tha Rama.