Nga Edmira Xhaferi
-Më në fund mësuese, ia dolëm!- dhe nëpërmjet shkëlqimit të syve të nxënësve të mi mora përgjigjen e punës time dhe forcës së brendshme të tyre për të arritur më të mirën!
…Dhe ia dolëm!… Ia dolëm së bashku të gjithë, duke patur dëshirën për bashkëpunim e duke besuar fort te forca e grupit dhe tek energjia pa kompromise që përcillnim.
I shihja nxënësit e mi që po i jepnin jetë sallës Black Box së Universitetit të Arteve në Tiranë me forcën e zërit të tyre e me të qenit aq të pushtetshëm përballë një skene aq te madhe dhe u ndjeva e lumtur!… Nën ritmin e duartrokitjeve të forta dhe të sinqerta, kuptova se të gjithë mundemi…
Kjo shfaqje, nisi thjesht si një inisiativë e bukur e nxënësve të mi për të kaluar përmasat e një klase në kubaturë të caktuar muresh të heshtur e për të shpërthyer në emocione të bukura në një salle ku, qysh prej krijimit e deri atë çast, janë luajtur pjesët e autoreve me emra të mëdhenj, por që për herë të parë u dëgjua dëshira dhe emocioni i tyre, u dëgjua zëri i një brezi 10-11 vjeçarësh që flisnin e luanin me gjuhën e shpirtit, duke mposhtur emocionet e duke kuptuar se nëpërmjet punës dhe dëshirës shtohen vlerat e të nesërmes, vlerat e punës e të përkushtimit, ato vlera që sapo kanë filluar për të shpërthyer më pas në skena të mëdha të gjuhës e të aktrimit.
Ndoshta ka ardhur koha që të kapërcejmë përparësen e mësuesit që na vesh me kërkesa e rregulla strikte. Ndoshta duhet të kuptojmë që përtej mësuesit qëndron njeriu dhe ndërtimi i marrëdhënies së bukur njerëzore, marrëdhënia e ndërtuar mbi vlera e komunikim, përkushtimi për të patur më të mirën e për të folur me gjuhën e dëshirës e dashurisë për njëri-tjetrin.
Përtej të qenit mësues, duhet të shohim qytetarin e ndërtuar mbi të përditshmen e bukur, atë që mbart me vete të ardhmen duke e veshur me prirjet artistike dhe intelektuale.
Investimi për ta, sot, është investimi për shoqërinë, për të ardhmen, investimi për jetën.
A mundet sot që shkolla ta marrë këtë rol?
Unë mendoj se po.
Ka ardhur koha që drejtuesit e arsimit duhet të ndryshojnë konceptet dhe ta shohin shkollën të lidhur me shoqërinë në një vizion më të gjerë, të tejkalojnë kufijtë e vendosur në mendësi e të harrojnë kornizat e vendosura nëpër letra dhe të flasin tashmë dhe me gjuhën e së nesërmes, me gjuhën e zhvillimit e të dëshirës për të ardhmen, me sigurinë që ky brez mundet. Keta drejtues duhet të flasin me zërin e këtyre fëmijëve që ndoshta për herë të parë guxuan, paçka se nuk besonin dhe në talentin e tyre, por besuan fort se mundeshin, ashtu siç mundet dhe shkolla pasi ka drejtimin kryesor në zhvillimin e shoqërisë, në edukim dhe mbarëvajtje.
Mundet, nëse ka forcën ti shohë në sy nxënësit si shoqëria e të nesërmes, pa jetën sedentare e të plogësht që i bën ata të paaftë për të marrë në dorë në rradhë të parë veten e tyre dhe duke i veshur me besimin se ata munden. Munden në vlera e në dije, por mbi të gjitha munden duke u mbështetur fort te forca e njëri-tjetrit, pa u kursyer në kohë e përkushtim. Se ata munden, munden në arritje, pa kompromise e gënjeshtra… Atëherë gjithçka është e mundur dhe shoqëria e së ardhmes do të jetë e mbushur me të ardhmen dhe e plotësuar në dije e në merita, pa e ndeshur veten nëpër moralizma të pashpresa e pa u zgjuar në shkrime portalesh qe veç bërtasin nën forcën e shkronjave duke shfryrë vetveten e pafuqinë për të parë të ardhmen në sy.
Të gjithë së bashku mundemi, secili në fuqinë dhe rolin e vet!
EDMIRA XHAFERI
Tiranë, 29 qershor 2021