Peruja ka hapur rrënojat e famshme, Machu Picchu, për një turist të vetëm japonez, i cili priti 7 muaj për të vizituar këtë vend turistik, pas mbylljes nga pandemia e koronavirusit.
Jesse Takayama kishte prenotuar vizitën e tij në mars, por gjithçka u anulua. Ministri i Kulturës së Perusë, Alejandro Neyra, tha se turistit iu dha një leje e veçantë pasi ai kishte bërë një kërkesë të veçantë.
Japonezi kishte planifikuar që të kalonte vetëm disa ditë në Peru, por mbeti në vendin amerikano-jugor pas mbylljes së kufijve. Ai qëndroi në qytezën Aguas Calientes, pranë Machu Picchu-t.
“Ai e kishte ëndërr të vizitonte këtë trashëgimi kulturore dhe ne vendosëm që, përpara se të kthehej në vendlindjen e tij, ta bënte këtë ëndërr realitet”, tha ministri.