Europa po përjeton kulmin e të nxehtit ekstrem që solli vala e dytë e ardhur nga Afrika Veriore.
Ashtu si në ditët përvëluese të Qershorit, edhe këtë herë Franca është vendi më i nxehtë. 42.6 gradë Celcius shënoi termometri pasditen e kësaj të enjteje në Paris, rekord historik për kryeqytetin francez pas më shumë se 70 vjetësh. Agjencia Shtetërore Meteo France, paralajmëron se temperatura mund të rritet sërish.
Rekord kombëtar shënoi edhe Gjermania. Në Lingen, qytezë veriperëndimore zakonisht e freskët në këtë periudhë të vitit, temperatura maksimale u regjistrua në 41.5 gradë Celcius.
E njëjta situatë paraqitet edhe në vendet e tjera perëndimore të Europës. Niveli i 40 gradë Celcius është tejkaluar tashmë edhe në Holandë e Belgjikë.
Të papërballueshëm, të nxehtin afrikan për veriun e Europës e bën edhe fakti se në atë pjesë të kontinentit, ajri i kondicionuar nuk përdoret, pasi vera është zakonisht e freskët, çka ka bërë që nëpër supermarkete malli më i kërkuar të jetë freskuesja.
Në shumë vende, autoritetet druhen për jetën e qytetarëve dhe kanë ndërmarrë fushata sensibilizuese për shmangien e orëve më të nxehta. Po ashtu, shmangia e mishit që kërkon shumë energji për t’u tretur, si edhe përdorimi frutave dhe lëngjeve janë disa nga këshillat kryesore të dietologëve.