Ëndrrat për paqe të miliona njerëzve në Lindjen e Mesme u prishën kur një vit më parë Hamasi sulmoi Izraelin dhe nxiti një luftë në shkallë të gjerë që rrezikon tani të kthehet në një luftë rajonale. Mbarë Lindja e Mesme mbetet thellësisht e ndarë në linja politike e fetare.
Edhe një herë, lufta po riformëson politikën e rajonit. Ofensiva e Hamasit erdhi pas më shumë se një shekulli konfliktesh të pazgjidhura. Pasi Hamasi depërtoi përmes kufirit pak të mbrojtur, shkaktoi ditën më të keqe për izraelitët.
Rreth 1200 vetë, kryesisht civilë, u vranë. Kryeministri, Benjamin Netanyahu, i telefonoi Presidentit Joe Biden dhe i tha se “nuk kemi parë kurrë një egërsi të tillë në historinë e shtetit që nga Holokausti”. Izraeli i pa sulmet e Hamasit si një kërcënim për ekzistencën e tij.
Që atëherë, Izraeli u ka shkaktuar shumë ditë të tmerrshme palestinezëve në Gaza. Gati 42,000 njerëz, kryesisht civilë janë vrarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Pjesa më e madhe e Gazës është në gërmadha. Palestinezët akuzojnë Izraelin për gjenocid. Lufta është përhapur. 12 muaj pasi Hamasi shkoi në ofensivë, rajoni i Lindjes së Mesme është në prag të një lufte edhe më të keqe; më të gjerë, më të thellë dhe më shkatërruese.
Një vit vrasjesh ka shuar supozime e iluzione. Njëra është besimi se Benjamin Netanyahu mund të menaxhonte çështjen palestineze pa bërë lëshime ndaj kërkesave të tyre për vetëvendosje. Udhëheqësit e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe apo dhe të tjerë, ishin të bindur se Netanyahu, pavarësisht se kundërshtoi një shtet palestinez përkrah Izraelit gjatë gjithë jetës së tij politike, mund të bindej disi të pranonte një shtet për t’i dhënë fund luftës.
“Basti i madh” i Presidentit Biden ishte propozimi që Izraeli të merrte njohjen e plotë diplomatike nga Arabia Saudite, vendi më me ndikim në botën islame, në këmbim të lejimit të pavarësisë palestineze. Sauditët do të shpërbleheshin me një pakt sigurie me SHBA-në. Plani Biden ra dështoi. Netanyahu tha në shkurt se shtetësia do të ishte “shpërblim i madh” për Hamasin.
Udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinwar, që supozohet se është ende gjallë, diku në Gaza kishte iluzionet e veta. Një vit më parë, ai duhet të ketë shpresuar se pjesa tjetër e të ashtuquajturit “bosht i rezistencës” i Iranit do të bashkohej, me forcë të plotë, në një luftë për të gjymtuar Izraelin. Ai e kishte gabim. Nga fillimi i ofensivës, Irani e bëri të qartë se nuk dëshironte luftë.
Në vend të Iranit, Hassan Nasrallah dhe miku e aleati i tij, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u kufizuan në sulme me raketa në kufirin verior të Izraelit. Të paktën 60,000 vetë u bënë refugjatë brenda Izraelit. Në Liban, ndoshta dy herë më shumë u desh të iknin gjatë muajve në vijim, pasi Izraeli u kundërpërgjigj.
Izraeli e bëri të qartë se nuk do të toleronte ndaj nisi shkatërrimin e Hezbollahut. Në shtator, Izraeli shkoi në ofensivë. Askush jashtë gradave të larta të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe agjencisë së zbulimit Mossad nuk besonte se kaq shumë dëme mund t’i shkaktoheshin aleatit më të fuqishëm të Iranit.
Izraeli shpërtheu në distancë mijëra pajisje pagers dhe radiomarrëse të, duke shkatërruar komunikimet e Hezbollahut dhe duke vrarë liderët. Në ditën e parë, Izraeli vrau rreth 600 libanezë, duke përfshirë shumë civilë.
Momenti kyç erdhi më 27 Shtator, me sulmin e madh ajror në periferinë Jugore të Bejrutit që vrau Hassan Nasrallah, liderin e Hezbollahut dhe shumë komandantë të lartë. Izraeli doli nga lufta kufitare duke përshkallëzuar në një luftë më të madhe.
Irani zakonisht ka ngurruar të hapë një luftë më të gjerë dhe kjo e ka inkurajuar Izraelin të shtyjë më fort. Të martën më 1 Tetor, Irani sulmoi Izraelin me raketa balistike.
Tani Izraeli dhe ShBA-ja janë drejt përgatitjeve të fundit për t’u kundërpërgjigjur.