Sali Berisha mbajti fjalimin final në kuadër të përvjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. Lideri historik i partisë opozitare, pasi kujtoi arritjet ndër vite të qeverisjes demokrate, por edhe “nga pagat si Angola dhe Uganda, arritëm nivelin e Ballkanit, duke nisur projekte si TAP”, por edhe duke pranuar gabime të cilësuara historike si “pranimi i skemave piramidale dhe dorëzimi i pushtetit ndaj një rebelimi”, i cilësoi vitet e lidershipit të Bashës si një fatkeqësi.
“Të jesh në opozitë nuk është turp, të jesh opozitar të jep nder, por mjerisht PD për shkak të takimeve të fshehta dhe bizneseve të kreut të përziera dhe papërziera me qeverinë, u shndërrua në një fasadë të një qeverie që kalonte nga skandali në skandal, nga korrupsioni në korrupsion. Në 25 prill, një besim i jashtëzakonshëm i popullit opozitar u shkelmua për interesat më të ulta, që PD të shndërrohej në aleate të Edi Ramës, ndërkohë që demokratët qanin me ngashërim, bëheshin ndarje postesh me Edi Ramës. Për t’i dhënë një “colpo di grazia” PD-së si forcë politike”, deklaroi Berisha.
Lideri demokrat cilësoi vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit “një nga aktet korruptive më madhore në botë, Blinken sanksionon Sali Berishën i cili nuk do të pranonte kurrë që PD të bëhej levë e PS së Edi Ramës”.
Ish-kryeministri përsërit se në qoftë se “Blinken o kushdo do të paraqesë një fakt të vetëm, Sali Berisha është i larguar përfundimisht, përndryshe historia ime është krejt tjetër. Më duhet të përballem me diplomatët më të rëndësishëm në bote, por mes nënës time dhe të vërtetës, unë zgjedh të vërtetën.
Mbështetja juaj për një person që kryediplomati i botës e kishte cilësuar si të korruptuar ishte e vështirë, nga ana tjetër guvernatorja në një akt turpi thërriste dhe përpunonte deputetët e partisë time sikur të kishte ambasadën seksion të kësaj partie. Dhe koha do ta tregojë këtë”, ishin fjalët e tij.