Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri sqaroi dhe mekanizmin e dakordësuar me opozitën për përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ.
Sipas dakordësisë së arritur, formula për KQZ ndryshon. Përfaqësuesi i opozitës nuk ka të drejtë vetoje. Për nivelin e dytë dhe të tretë, përzgjedh 2 nga 5 anëtarët e KQZ. Për komisionerin, përfaqësuesi i opozitës eliminon vetëm 1 nga 4 kandidatët.
Gjiknuri u shpreh se opozita do të ketë një të dërguar në Komisionin e Posaçëm që do të përzgjedhë apo skualifikojë kandidatët e përzgjedhur nga një konkurs i hapur.
“U la që përzgjedhja të bëhet në Kuvend ku opozita do të ketë një të dërguar të saj në komisionin e posaçëm që do të bëjë përzgjedhjen, ku ai do të ketë të drejtën të përzgjedhë dhe skualifikojë disa nga anëtarët, të cilët do të përzgjidhen pas një konkursi të hapur.
Pra do të jetë një e drejtë e çdo qytetari që plotëson ato kritere për të kandiduar në një nga organet e komisionit qendror të zgjedhjeve dhe ajo garanci që i kemi dhënë opozitës do të materializohet në kuvend”, u shpreh Gjiknuri.