Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vërtetuar me prova se Saimir Tahiri ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta duke dëmtuar interesat e shtetit.
Në arsyetimin e Gjykatës lidhur me vendimin e sotëm për dënimin me 3 vjet e 4 muaj burg të ish-ministrit thuhet se ai ka shpërdoruar detyrën në disa raste përmes lidhjeve të provuara me grupin e Moisi Habilajt duke çuar në infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit.
Arsyetimi i përmbledhur i gjykatës për dënimin e Tahirit
-Në ngarkim të Saimir Tahirit rezulton lidhje e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar me prova me të pandehurin Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj.
-Lidhje të tilla të pashpjegueshme me ministrin e Brendshëm që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve vendor dhe qendror kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa në drejtim të luftimit të veprimtarie kriminale.
-Shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri punonjësish policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.
-Shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikut të narkotikëve me Moisi Habilaj e të tjerë në kuadër të një organizmi kriminale me këtë veprimtari.
-Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të veprimtarisë së aktiviteteve të paligjshme furnizues me lëndë narkotike që në vlerësimin e gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimit në mënyrë të paligjshme të autoritete shtetërore dhe pasojat kriminale të ardhura.
-Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për ti dhënë eficencë të plotë strukturave më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara dhe në kundërshtim me ligjin.
-Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit.
-Për rrjedhojë Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprën penale shpërdorimi i detyrës.