Teksa lajmet mbi koronavirusin kanë pushtuar televizionet, rrjetet sociale dhe lajmet digjitale, fare lehtë mund të besohet se bota është ndalur: Se kanë ndaluar luftërat apo zhvillimet e fundit mbi ndryshimet klimatike.
Më poshtë do të gjeni disa prej titujve që mund t’iu kenë shpëtuar për shkak të “manisë së koronavirusit”.
Erdogan krahason autoritetet greke me nazistët për trajtimin e tyre ndaj emigrantëve
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha të mërkurën se “nuk ka asnjë ndryshim” midis Nazistëve dhe autoriteteve greke të cilët po kthejnë me dhunë emigrantët që përpiqen të hyjnë në Greqi pas hapjes së kufijve nga Ankaraja.
“Nuk ka asnjë ndryshim mes asaj që bënin nazistët dhe pamjeve që po shohim nga kufijtë e Greqisë”, tha Erdogan gjatë një fjalimi në Ankara duke i cilësuar autoritetet greke si “barbarë dhe fashistë”.
Ky ka qenë dhe përshkallëzimi i fundit i kësaj krize i cili ka detyruar dhe ndërhyrjen e Agjencisë Kufitare dhe Bregdetare Europiane në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë.
BE shpalos planin e ri të ekonomisë rrethore
Ajo që në dukje mund të ngjajë si një titull i thatë është në fakt një strategji e debatueshme e BE-së që do i bëjë shumë të palumtur disa prej gjigantëve të teknologjisë, si për shembull Apple.
Plani i veprimit përfshin politika për tu siguruar që produktet e teknologjisë të kenë një jetëgjatësi më të madhe, informimi i konsumatorëve për produktet e riparueshme si dhe përmirësimi i trajtimit të mbetjeve nga këto produkte, veçanërisht atyre elektronike.
Sipas planit, BE synon që të përgjysmojë mbetjet deri në 2030 dhe t’i ofrojë konsumatorëve të drejtën për të riparuar kompjuterët dhe telefonat smart.
Gjithashtu, ideja e Komisionit për të pasur një karikues universal për të gjithë celularët ka të ngjarë që të sjellë kundërshtim nga ana e Apple.
Europa shton përpjekjet për të ulur emetimet
Në Francë, kryetari i bashkisë i një qyteze pranë Parisit ka bërë thirrje që të hiqen ngrohëset e jashtme.
Që kur hyri në fuqi ligji i cili ndalonte pirjen e duhanit brenda kafeneve në vitin 2008, shumë restorante dhe kafene vendosën ngrohëse elektrike ose me gaz në ambientet e tyre të jashtme.
Por Boutault thotë se ka ardhur koha që ato të hiqen një herë e përgjithmonë nëse qëllimi është që të pakësohen emetimet e karbonit dhe të kthehemi në një kontinent neutral nga karboni.
Ndërkohë Holanda ka filluar implementimin e limitit prej 100 kilometrash në orë në autostradë për shkak të emetimit të lartë të oksidit të nitrogjenit, i cili është mbi normat e lejuara nga Bashkimi Europian.
Duke nisur nga e enjtja, do të vendosen tabela të reja të sinjalistikës rrugore.
Shoferët do të mund të ecin me një shpejtësi mbi 100 kilometra vetëm nga ora 7 e pasdites deri në orën 6 të mëngjesit. Gjatë këtyre orëve, limiti i shpejtësisë do të jetë 130 kilometra në orë.
Lajme të mira vijë edhe nga Luksemburgu pasi në fillim të marsit transporti publik do të bëhet pa pagesë duke u bërë kështu vendi i parë në botë që do e bëjë transportin publik krejtësisht falas si për turistët ashtu edhe për vendasit.
Vladimir Putin mbështet planin që mund ta mbajë në pushtet deri në 2036
Vladimir Putin ka qenë pro një amendamenti kushtetues i cili do lejonte rikandidimin e tij në zgjedhjet e 2024 çka do e linte në pushtet deri në 2036 duke pezulluar kështu një ligj i i cili kufizon rizgjedhjen e presidentit deri në mandate
Në 2036, Putin do të jetë 83 vjeç.
Kritikë të Kremlinit e kanë kritikuar lëvizjen si një manipulim cinik dhe ka bërë thirrje për protesta.
Shtresat e akullit po shkrihen me shpejtësi
Shkencëtarët thonë se shtresat e akullta të Groenlandës dhe Antarktidës po shkrihen gjashtë herë më shpejt sesa në vitet ’90. Kjo përshpejton ndryshimet klimatike dhe masat që duhen marrë për të përballuar përmbytjet.
Dy artikuj të ndryshëm që janë publikuar së fundmi në revistën Nature tregojnë se humbja e masës së akullt ka rritur nivelin e ujërave globalë me 17.8 milimetra.
Sipas Prof. Shepherd, “çdo centimetër që rrit nivelin e detit çon drejt përmbytjeve dhe erozionit duke shkaktuar problem në jetët e përditshme të njerëzve në mbarë globin”.