Një italian, 20 vjeç, është sulmuar nga një peshkaqen në plazhin e Queensland në Australi, teksa ishte futur për të notuar. Mediat italiane raportojnë se i riu u përlesh për disa minuta me “bishën” e ujit, ndërsa përgatiti edhe një video lamtumire, por në fund e kuptoi se arriti të mbijetonte, por humbi njërën këmbë.
Ai ka rrëfyer aventurën e tij të tmerrshme, e cila mund t’i kishte marrë jetën, në videon e realizuar menjëherë pas sulmit, në tentativë për t’i dhënë lamtumirën njerëzve të tij të dashur. “E nisa këtë video vetëm disa çaste pasi peshkaqeni më kishte sulmuar. Doja të jepja lamtumirën. Nuk e kisha menduar kurrë që do t’i mbijetoja atij përbindëshi. Kam humbur shumë gjak nga kafshimi në këmbë. Nuk e di nëse do të ma presin plotësisht, por kjo nuk ka rëndësi tashmë për mua. Ju jeni heronjtë e mi. Po më jepni forcë për të vazhduar dhe ëndrra ime është t’iu shoh përsëri”, ka thënë 20-vjeçari nga Parma në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Matteo Mariotti ndodhet në Australi që prej nëntorit të vitit 2022 pasi kishte shkuar aty për të studiuar. Të premten, ai ishte njoftuar se gjyshi i tij kishte ndërruar jetë, ndërsa është shprehur se për të larguar mendjen, duke qenë në një vend të largët, kishte vendosur të notonte.
“Ishte ora 16:30 dhe sapo kisha mësuar se gjyshi im Giovanni kishte vdekur. Vendosa të notoja dhe nuk shkova shumë larg bregut. Mora një kamera për të filmuar, siç bëj gjithmonë. Pak pasi kisha hyrë në ujë, ndjeva një dhimbje të tmerrshme në këmbë. Ishte një peshkaqen. Nuk kisha aspak kohë për të reaguar, por kuptova menjëherë se peshkaqeni po më tërhiqte, ashtu siç bën me gjahun e tij. Në një moment, arrita t’i shkëputem dhe ndeza kamerën për të xhiruar lamtumirën time nga kjo botë. Për fat të mirë, një mik i imi, instruktori i zhytjes Tommaso Agosti, kuptoi se çfarë po ndodhte dhe erdhi më shpëtoi duke me nxjerrë në breg. Ai më shtrëngoi këmbën, nga e cila po humbisja shumë gjak. Më pas arriti helikopteri dhe makthi mori fund fatmirësisht, edhe pse me një këmbë të këputur nga peshkaqeni. Të paktën, unë jam gjallë. Më ka mbrojtur gjyshi”, tha i riu për mediat italiane.
KUJDES! PAMJE TË RËNDA!