Përfundon në Apelin e Posaçëm mbrojtja e nëntë te akuzuarve për inceneratorin e Elbasanit. Vendimi përfundimtar do të shpallet më 8 nëntor, ora 14:00.
SPAK i kërkon Apelit të Posaçëm të fajësojë Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, në dosjen e inceneratorit të Elbasanit, vepër për të cilën fituan pafajësi në Shkallën e Parë.
Prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg, ndërsa për Kokën kërkon t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”.
Ish-ministri është dënuar në shkallën e parë antikorrupsion me 6.8 vite burg me gjykim të shkurtuar.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të premte, i ka kërkuar pafajësi Gjykatës së Apelit të Posaçme për akuzat e ngritura ndaj tij në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.
Nga kafazi i sallës së gjyqit, ai ka pretenduar se “peshku i madh” ishte dikush tjetër.
“Jam i pafajshëm! Ju po kërkoni të më dënoni mua si peshkun e madh, por nuk jam unë peshku i madh. E di gjithë Durrësi që unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguajë bileta udhëtimi Mirel Mërtiri. Nuk kam bërë korrupsion e nuk mund të më dënoni për korrupsion”, është shprehur Koka..
Në vijim, Koka ka shtruar pyetjen: “Përse prokurorët nuk marrin si referencë kontratat e tjera për landfille, si ai i Vlorës a Lezhës, që janë më të shtrenjta?”.
Sipas ish-ministrit të Mjedisit, Apeli po e gjykon çështjen në bazë të një kallëzimi të bërë nga ish-kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe se konkluzionet e togave të zeza nuk kanë ndryshuar as pas një viti shqyrtime.
“E dëgjova prokurorin sot. Ky është fiks kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi. Edha pas një viti konkluzionet e prokurorëve janë të njëjtat. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë në presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur. Pse e ndatë dosjen, apo që të më dënoni sa më shumë mua”, është shprehur Koka në sallën e gjyqit.