Manchester City ka siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit të Benficas, Ruben Dias, ndërsa Nicolas Otamendi do të transferohet në krahun e kundërt, pra te “Shqiponjat” e Lisbonës. City do të paguajë deri 71.3 milionë euro për mbrojtësin, ndërsa Benfica do të shpenzojë vetëm 15 milionë për Otamendin. Në njëfarë mënyrë do të ketë një shkëmbim futbollistësh, me klubin portugez që shton në arkat e veta 56.3 milionë euro. Lajmi i konfirmuar zyrtarisht nga vetë Benfica menjëherë pas turpërimit të skuadrës së Guardiolës nga Leicester City në “Etihad”.
Pep Guardiola ka dashur të nënshkruajë një mbrojtës të ri gjatë afatit kalimtar të verës dhe më në fund ka marrë atë që kërkonte. Nathan Ake iu bashkua “Citizens” nga Bournemouth për 41 milionë stërlina e tani do të ketë një partner të ri në prapavijë.
Klubi anglez ka qenë në bisedime të vazhdueshme për Kalidou Koulibaly të Npaolit, por kërkesat e larta të presidentit De Laurentiis bënë që të mos kishte marrëveshje. Për këtë arsye, Citizens vendosën të blinin 23 vjeçarin Dias, i cili ka spikatur në radhët e Benficas.