Disa dhjetëra banorë të Fierit janë mbledhur në qendër të qytetit për të firmosur një peticion për rikthimin e dënimit me vdekje. Ata kërkojnë dënimin kapital për Klodian Çalamanin, autorin e dyshuar të vrasjes së Mateo Vasiut.
Babai i 8-vjeçarit, trupi i pajetë i të cilit u gjet në oborrin e shtëpisë së Çalamanit, qëndronte në qendër të qytetit me bashkëshorten. I tronditur, ai kërkon drejtësi për të birin. “Ta sjellin këtu ta varin, ta shikoj me sytë e mi dhe nuk jam i ngopur… Të mblidhen për fëmijët e vet. Të ma sjellin këtu”, tha ai për gazetarët.
Edhe banorë të tjerë të qytetit, të mbledhur në sheshin kryesor, kërkojnë dënimin me vdekje për 38-vjeçarin, i cili e ka pranuar kryerjen e krimit makabër pasi është marrë në pyetje nga Policia.
“Këta njerëz duhen varur. Të varet njëri këtu që të marrin frikë dhe të mos vriten njerëzit. Kemi nipër e mbesa, kemi frikë t’i nxjerrim te dera”, tha një e moshuar. “Po të isha unë në vend të tij o Zot çdo të bëja… Shumë poshtërsi e madhe, edhe për Fierin. Ligjin e bëjnë ata atje, atë që do populli. Kur t’u shkojë në shtëpinë e tyre do ta marrin vesh, sepse nuk do të jenë përherë ministra e kryeministra”, tha një tjetër qytetar.
Paradite, familjarët e 8-vjeçarit të vrarë mësynë në godinën e Gjykatës së Fierit, në kërkim të Çalamanit. Me thirrjet për drejtësi, ata kanë tentuar të shkojnë drejt sallës ku ishte planifikuar masa e sigurisë.
Më pas, me ndërhyrjen e forcave të rendit, familjarët janë nxjerrë jashtë ambienteve, ndërsa kanë kërkuar mbështetjen edhe të qytetarëve për të vënë në vend drejtësinë.