Bota Petkov: Kovaçevski të tregojë guxim, të pranojë propozimin francez edhe nëse humbet...

Petkov: Kovaçevski të tregojë guxim, të pranojë propozimin francez edhe nëse humbet postin

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, i bëri thirrje homologut maqedonas, Dimitar Kovaçevski, që të pranojë propozimin e francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve, që do t’i hapte rrugë vijimit të procesit integrues të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Parlamenti bullgar miratoi planin francez, por vetëm nëse plotësohen disa kushte: të garantohet përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, njësoj si pakicat e tjera; të pasqyrohet qartë fakti se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë; BE të garantojë që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter gjatë procesit të anëtarësimit.

Petkov tha se Kovaçevski duhet ta pranojë këtë, edhe nëse do t’i kushtojë detyrën. “E di që është politikisht e vështirë”, tha Petkov në një intervistë me “Politico” nga Brukseli. “E di që ekziston rreziku që qeveria të rrëzohet pas kësaj. Por nëse ai do të hyjë në histori si njeriu që hapi derën e BE-së për Maqedoninë e Veriut, unë në vend të tij nuk do të mendohesha dy herë”.

Një ditë më parë, Kovaçevski tha se propozimi francez ishte i papranueshëm për Maqedoninë e Veriut, në një reagim të fortë pas refuzimit të Bullgarisë për të hequr veton në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor

“Negociatat duhet të nisin para ndryshimit të Kushtetutës sonë. Duhet siguruar që Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja. Propozimi i Francës është i papranueshëm për mua, për qytetarët, për të gjithë ne. U them qytetarëve se duhet të jenë në paqe dhe t’i siguroj se kemi vendosur interesat e vendit para të gjithëve”, tha ai.